Ekstremisti i djathtë Horst Mahler më kot u përpoq të kërkojë azil në Hungari. Tani një gjykatë në Budapest i hapi rrugën dorëzimit të 81 vjeçarit tek autoritetet gjermane. Kundër të arratisurit nga Gjermani, mohuesit të Holokaustit Horst Mahler ka një urdhërarresti europian. Gjykata e qytetit në Budapest vendosi tani, që Mahler t’u dorëzohet autoriteteve gjermane. Këtë e komunikoi agjencia hungareze e lajmeve MIT. Policia hungareze e arrestoi 81 vjeçarin më 15 maj në qytetin kufitar Sopron. Dy ditë më pas gjykata e qytetit e vendosi atë në arrest ekstradimi. Me arratisjen në Hungari ish-terroristi i RAF(fraksioni i ushtrisë së kuqe) sot ekstremist i djathtë, donte t’i shmangej përmbarimit të drejtësisë në Gjermani. Mahler në vitin 2009 u dënua me dhjetë vjet heqje lirie për nxitje të urrejtjes popullore dhe mohimit të Holokaustit. Verën e vitit 2015 drejtësia gjermane në sfondin e gjendjes shëndetësore të tij kishte vendosur faljen e pjese të dënimit të mbetur. Por ky vendim më pas u tërhoq. Kësisoj Mahler nuk u rikthye në burg, por doli në ilegalitet. Më kot Mahler u përpoq të kërkojë azil politik në Hungari. Edhe një kërkesë drejtuar personalisht kryeministrit nacionalist të djathtë hungarez Viktor Orban nuk pati sukses. Pas vendimit për ekstradim autoritete gjermane kanë dhjetë ditë kohë për ta sjellë atë në Gjermani. Prej kohësh Hungaria tërheq figura të ekstremit të djathtë nga Evropa Perëndimore.