Në kufirin jugor hungarez me Serbinë ndërtohet rrethojë e re, e pajisur me elektroshok për refugjatët, sensorë për ngrohje, kamera dhe altoparlantë, nga të cilat do të jepen mesazhe në disa gjuhë, transmeton Hina. Në krye të krizës së refugjatëve në vitin 2015, Hungaria ka qenë në rutën kryesore për qindra mijëra njerëzit, të cilët kanë kërkuar strehim në Evropën Perëndimore. Teli i vendosur me gjemba dhe ligjet e ashpra e kanë zvogëluar fluksin e refugjatëve në minimum, por Hungaria nuk dëshiron të rrezikojë.
“Vëmendje, vëmendje. Ju paralajmëroj se jeni në kufirin hungarez. Nëse e dëmtoni gardhin, e kaloni ilegalisht ose tentoni ta bëni këtë, në Hungari kjo do të konsiderohet se krim. Ju paralajmërojmë që mos ta bëni këtë krim. Kërkesën tuaj për azil mund ta dorëzoni në zonë tranzitore”, dëgjohet nga altoparlantet e barrierës së re, në gjuhën angleze, arabe dhe persiane”, transmeton Hina. Gardhin e ri, të ndriçuar dhe të çeliktë çdokush që do ta prek do ta godasë me elektroshok, për të cilin burimet thonë se është i butë. Mes rrethojës së re dhe të vjetër do të patrullojë policia. Tash për tash janë bërë vetëm 10 kilometra nga gardhi i ri, por zyrtarët pohojnë se pjesa tjetër, prej rreth 40 kilometra do të përfundojë në dy muajt e ardhshëm dhe se për ndërtimin e së njëjtës janë angazhuar rreth 700 të burgosur. Qeveria hungareze për këtë qëllim ka dedikuar 123 milionë euro.