Humori që të mban përherë në këmbë!

Të themi se jemi në gjendje të mjerueshme, nuk jemi. Por, edhe me thënë se jemi në një gjendje të mirë, poashtu nuk gjendemi. Jemi në një situatë të varur dhe në mëshirë të kohës, si aktorë. Përveçse teatrit nuk kemi një stacion tjetër, ku të dalim e të takohemi me kolegë. Se, anija ndalet në limane të ndryshme, e ne ndalemi vetëm në një liman, në teatër. Është e vërtet që kemi lakmi kolegët tanë të Tiranës, Prishtinës, të Beogradit, të cilët i kanë nga dhjetë “limane” në muaj

Delvina KËRLUKU

Visar Etemi ka lindur më 9 janar të vitit 1983, në Shkup. Filloren e kreu në shkollën “LIRIA”, gjimnazin në “Zef Lush Marku”, ndërsa Fakultetin e Arteve në “Shën Kirili dhe Metodi”, ku edhe i përfundoi studimet në vitin 2007. Deri më tani ka 40 role që ka interpretuar. Është i punësuar në Teatrin Shqiptar të Shkupit dhe ka 11 vite karrierë. Si kryetari i shoqatës “Abrakadabra”, do të luaj një rol të rëndësishëm për aktivitete të ndryshme, si një shoqëri e aktorëve profesionist, për film dhe teatër. Në teatrin shqiptar të Shkupit ka luajtur shfaqen e parë “Vdekja aksidentale e një anarkisti”. Më pas shfaqjen “Pergiti”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kuçedra”, etj. Visari, sa e hodhi hapin në skenë, do të marrë meritat më të mëdha, ku edhe ju hapën shtigjet për të marrë role të veprave të ndryshme. Ka vepruar si aktor brenda dhe jashtë vendi. Është i martuar dhe ka dy vajza.

KOHA: Mbajmë mend që në fëmijëri kemi patur shumë qejf jo vetëm shfaqjet teatrore, por edhe filmat. Çfarë e lidh jetën e fëmijërisë tuaj me teatrin ose kinematografinë?

Advertisements

ETEMI: Unë rrjedh nga një familje shqiptare e Shkupit. Babai im ka qenë pjesë e Teatrit të Shkupit, si rrobaqepës. Sa here që ikte ai në teatër, e ndiqja dhe kjo ndodhte shpesh, thuajse çdo ditë. Isha vetëm 7 vjeç, kur kuptova se Teatri ishte shtëpia jonë e dytë. Momentin kur babai përgatite gardërobën e shfaqjeve, e mbaj mend edhe këtë ditë, ai përgatiste veshjet e aktorëve të asaj kohe, që sot edhe nuk janë në mesin tonë. E unë qëndroja prapa skenës dhe vështroja çdo lëvizje të babait dhe aktorëve. Kështu që kuptova se do të merrem me këtë profesion. Madje, që në moshë të hershme vërehej se jam i lidhur pas këtij arti. Kam edhe hartimin nga klasa e tretë fillore, ku e ruaj edhe sot, pra të shprehurit me shkrim, me temë “çka do të bëhesh”, kam shkruar se do të bëhem aktor dhe kjo ëndërr u realizua. Ishte takimi me teatrin që zgjoi pasionin dhe ëndrrën time, se pas filmave nuk isha shumë i dhënë. Ne e dimë të gjithë se çfarë probleme dhe mangësi kemi patur atë kohë. Nuk kishim televizor ose edhe kur u bëmë me të, nuk ishin programet e Shqipërisë, Kosovës… Ne në Maqedoni nuk e kemi patur të zhvilluar edhe aq kinematografinë. Të gjitha filmat që i kemi ndjek për fëmijë i kemi ndjek në gjuhën maqedonase. E mbaj mend që babai kur shkonte në Shqipëri, përherë në çantën e tij kishte kaseta me filma dhe mund të them se ato filma më vonë i kemi shikuar pesëdhjetë herë në familjen time.

KOHA: Afrimi me aktrimin ishte një okazion? Besoni se në jetë ndodhin çudira? Si e përshkruani ciklin e jetës tuaj në sferën e artit?

ETEMI: Kam kryer studimet në vitin 2007. Si fillim kam ndjekur fakultetin në Universitetin e Tetovës, pastaj kalova në fakultetin e arteve ne “Shën Kirili dhe Metodi”. Jam i punësuar në Teatrin Shqiptar të Shkupit dhe kam 11 vite karrierë. Roli im i parë ka qenë “Vdekja Aksidentale e një Anarkisti”, të Dario Fo, ku kam patur rolin e policit dhe pastaj varguan rolet e tjera, ku janë më së paku 40 role.

KOHA: Interesi i madh që është shfaqur për telenovelat brenda dhe jashtë vendit është bërë shkak edhe për të ndal hapin e publikut për në teatër. Si të dalim nga ky ngërç dhe si të zgjojmë interesimin e publikut për teatrin?

ETEMI: Është për ta thënë se unë jam kryetari i shoqatës “Abrakadabra”, për art dhe kulturë. Një shoqëri e aktorëve profesionist vetëm për film dhe teatër, ku edhe kam patur disa projekte. Në vitin 2010 e kemi patur një telenovelë, e cila u transmetua në televizionin Alsat-M. Ka qenë “Hoteli i Mihanës”, gjegjësisht aktorët e Maqedonisë. Por mund të them se ne jemi vetë ato që e lindim dhe e mbysim fëmijën tonë, me duart tona. Por e kemi një ves ne që nuk pyesim për punën një jave e më shumë, ndërsa nuk e dimë se vdesim për bukë javën e dytë, fatkeqësisht. Ne duam të bëhemi të pasur brenda muajit me profesionin tonë, ndërsa nuk i shohim kolegët tanë që nuk kanë patur bukë e kulme, por pikërisht janë këta që e kanë mbajt teatrin me qindra herë më mirë se sa është në ditët e sotshme, ku i kemi kushtet në nivel të lartë, në krahasim me ato (të parët tanë).

Kam dëgjuar që një institucion i lartë ka marrë hapin që ti prish “telenovelat”, ku edhe kanë marrë hov përhapja e tyre, ndërsa ne nuk kemi prodhimin tonë. Telenovela shikohen në gjithë botën, por më pak në Shqipëri dhe Kosovë, se kjo e fundi ka tre seriale të veta, kurse Shqipëria ka seriale të ndryshme në nivel të lartë siç mund të përmend “Apartamenti 2 XL” dhe “Portokallia”, ku ky i fundit ka zgjatur, deri më tani, 18 vite, si asnjë seria tjetër. Jam “xheloz” ndaj kolegëve tanë që jetojnë në Shqipëri. Por, me plot bindje mund të them, që aktorët që jetojnë në vendin tonë janë shumë më të mirë se të Kosovës dhe Shqipërisë, por fatkeqësisht vlerësimi është i pakët. Kemi patur rastin që aktori Xhevdet Jashari nga vendi jonë ta kemi në serialin “O sa mirë”, i cili bëri zhurmë të madhe dhe seriali mori një hap tepër të madh. Me këtë desha të tregoj se çfarë kualiteti kemi ne. Ndërsa ne, shqiptarët në Maqedoni, kemi një serial “Hoteli i Mihanës”, por u ndërpre shkaku i financave. Unë personalisht nga ai serial nuk kam marrë asnjë qindarkë, edhepse 3 vite kishim punuar. Premtime për pagesa plot kemi patur, por asnjëherë nuk i kam marrë pagesën e duhur. Pastaj, nga Alsat-M, ku edhe transmetohej e transferuam në MTV 2, me vetë iniciativën time, ku edhe u bëra producent me dy kolegët e mi. Dhe, për dy vite u transmetua në televizionin shtetëror të Maqedonisë. Por, atë që desha ta them se nuk duhet ta gënjejmë veten se nuk kemi publik, kur në “Youtube”, persona që bëjnë incizime dhe i bartin në internet (pa ofenduar kënd) ose në “facebook” dhe në përgjithësi rrjete sociale, arrijnë me mijëra klikime. Kjo do të thotë se audienca jonë është e uritur për aktivitete të ndryshme. Sidomos publiku shkupjan aq e mirëpret komedinë sa nuk ndodh në ndonjë vend a shtet tjetër, por fatkeqësisht nuk organizojmë. Ndërsa, telenovelat shihen, por më e mira e interpretimit në televizion është se rritën imazhin e aktorit. Ne kemi Teatrin e Shkupit, por edhe të Tetovës ku ka aktorë shumë të mirë, të cilët ishte mirë që të paktën tre ose katër aktor të angazhohen në seriale, për të mirën e aktorit. Këtë “famë” e kam ndje tre vite dhe e di se çfarë dashurie më pas të falë publiku. Interesimi shtohet edhe i mediave, por edhe njerëzit gjatë rrugës të ndalin kërkojnë një fotografi ose një nënshkrim. E di që këtë intervistë do ta lexojnë shumë dashamirës të mi, ku vetë dëshmitare është shoqja ime, ku në një pushim në bregdet – njerëzit filluan të më afrohen duke më thënë “aktori i televizionit”. Kjo është kënaqësia më e madhe për një aktor. Por, them që publiku më i sinqertë janë fëmijët. Ata nuk dinë politikë, prapavijë. Ai është publiku real dhe tregon të vërtetën. Kam patur rastin që prindërit e tyre më janë lutur që të jem prezent në ditëlindjen e fëmijës së tij, ose të jem i pranishëm në shkollë. Këto janë momente më të bukura për mua si aktor, ku edhe shpesh kujtoj të bukurën në momentet më të vështira, që përballemi në jetë.

Momentalisht Teatri i Shkupit është duke u rinovuar goxha vite, mund të them lirisht, por edhe jam tepër i bindur se kur do të bëhet hapja solemne e teatrit, drejtuesit e kësaj shtëpie të koncentrohen më shumë në PR (marrëdhënie me publikun) dhe besoj që teatri jonë do të ketë të paktën tre repriza ose tre shfaqe në javë. Se do ta kemi teatrin në nivel dhe nuk mund të themi se nuk kemi publik, kur ne kemi një numër të caktuar të shkollave të mesme, në Shkup, që janë rreth 5000 nxënës. Kemi mundësi të ndryshme për ta sjell publikun, por nuk jam kompetent për këtë çështje.

KOHA: Në vendet e zhvilluara, në metropolet e Turqisë numri i shkollave të aktrimit po rritet me shpejtësi. Kuptohet një rol të madh këtu kanë edhe shumat e mëdha të parave që marrin aktorët. Te ne si ndodh?

ETEMI: Unë kam qenë pjesë e një seriali të Turqisë, por dihet që interesimi i publikut për art dhe kulturë në atë vend është shumë i madh. Por, është një fenomen që nëse publiku nuk është i interesuar për një serial, në episodin e tretë ndërpritet seriali. Isha pjesë e serialit “Fati Sultan Mehmet”, ku kam interpretuar një bektashi të Shqipërisë. Kam patur fatin që ta luaj, por fatkeqësisht nuk ka dal në opinion edhpse kam nënshkruar kontratën ose kam bërë provat e kostumit. Kam arrit deri te prova e serialit 13, por u ndërpre. Gjithsesi, një eksperiencë shumë e bukur. Atje bota e artit është shumë interesant, për shembull ne kemi detyrimisht që në një pjesë skenike të marrin pjesë aktorët, atje mund të jetë që rolin kryesor e ka një kuzhinier, si për shembull personazhin Pollati, i cila gjatë jetës së tij është marrë me përgatitjen e ushqimeve. Por ai vazhdoi në atë drejtim, sepse një serial që zhvillohet një sezon, ata paguhen shumë dhe e kanë jetën e siguruar, jo vetëm për vete, por edhe të familjarëve. Kam kolegë nga Turqia që kanë patur pagën për një muaj 28.000 euro…. Ata nuk duan të pyesin pa mos nënshkruar kontratën. Ndërsa, te ne ndodh e kundërta, ne primaren e kemi modestinë.

KOHA: Keni kryer shkollën në Akademinë e Shkupit. Programet tona të studimit kanë qëllim që të njohë, mbështesë dhe zhvillojë inteligjencën vizuale individuale të studentit. Të ndërtojë tek çdo student një mënyrë të të kuptuarit të arteve nëpërmjet informimit e qëndrimit kritik, e lidhur kjo me kontekstin e nevojave të tyre krijuese dhe intelektuale. Sa e rëndësishme ka qenë Akademia e Artit, dhe ç’rol ka luajtur në jetën tuaj?

ETEMI: Tregova që kam qenë student në Universitetin e Tetovës, ku brenda një viti e ndërpreva, për arsye personale. Ndërsa, vazhdova në Akademinë e Arteve të Shkupit, ku kam qenë student i profesorit Refet Abazi, të cilit i jam mirënjohës dhe jam krenar që kam qenë student i tij. Ku për moment po punojmë në veprën “Vdekja e Dom Tonit”, ku kjo shfaqe edhe përgatitet për hapjen solemne të Teatrit tonë shqiptar. Unë kam patur të luaj me profesorin vetëm në një film, që në Greqi e kemi patur.

KOHA: Ju keni kolegë të shkolluar që kanë kryer studime në Fakultetin e Arteve të Bukura në Tiranë, Prishtinë, Shkup, etj. Ku takohen dhe ku diferencohen këto fakultete ndërmjet veti dhe sa larg jemi nga fakultetet e Evropës?

ETEMI: Mund të krahasoj fakultetin e arteve të Tiranës, Prishtinës ose ndonjë vendi tjetër, por fakulteti i arteve në Shkup është njëqind herë më i fortë se këto që përmenda. Sepse, nuk mund ta shohim godinën dhe ta vlerësojmë se çfarë ka brenda, por profesorët që janë në Universitetin e Shkupit të “Shën Kirili dhe Metodi”, kanë qenë profesorë më me shumë merita në tërë Jugosllavinë. Duke u nis nga profesor Sllobodan Unkovski, Vlladimir Millçini, Ljubisha Georgevski, Refet Abazi, Iljesa Kaso, e shumë të tjerë, të përkushtuar e me plot merita. Mund ta them me plot gojë që është një ndër fakultet më të forta në Ballkan e më gjerë. Unë e them që aktorët maqedonas janë shumëfish më të aftë se ato të Beogradit, si Nikolla Ristanovksi, Igor Xhambaso, ku nuk krahasohet me asnjë shou-men tjetër. Pra, nga Fakulteti i Arteve në Shkup, të gjithë kanë dal faqebardhë.

KOHA: Visar, keni interpretuar role, personazhe të veprave të autorëve të mëdhenj, nga veprat e autorëve shqiptar si Gjergj Fishta deri te autori botëror Shekspiri. Çfarë mund të na flisni për rolet tuaja?

ETEMI: Aktori duhet që të mos i ndajë rolet. Por, unë jam aktor që e pëlqej komedinë. Mund të përmend këtu shfaqen e fundit të regjisorit Sulejman Rushitit me shfaqen teatrale “G”, të At Gjergj Fishta, autor i cili për mua është një nga personalitet më të shquara të të gjitha kohërave shqiptare. Kam patur fatin që të luaj në këtë shfaqe, me rolin e gomarit të Baba Tasit. Mund të them që është një përvojë shumë e mirë, të punosh me regjisorin Rushiti. Por edhe me veprën e Shekspirit, kam bashkëpunuar me regjisoren e mirënjohur Diana Dobreva, kemi punuar tre muaj, ku ishin ditë të lodhshme, por besoj që kemi bërë një mega spektakël. Me këtë shfaqe kemi marrë pjesë në dy festivale në Turqi, festivalin e Bursës dhe festivalin e Anlalisë, ku është për t’u veçuar se kemi patur pesëmbëdhjetë minuta duartrokitje, në fund të shfaqjes. Aty ka patur 800 persona, në publik dhe nuk do ta harrojë kurrë atë ndjenjë që më përshkroi pas brohoritjeve të tyre. Dhe shumë shfaqe të tjera, që secila ka mbresat e veta.

KOHA: Është pikërisht loja e aktorëve ajo që arrin të përçojë edhe intencën e regjisorit duke na ofruar një cikël të jetës në tërësi. Cili është raporti juaj me regjisorët?

ETEMI: Si fillim do të them që me secilin aktor i kam marrëdhëniet e mira, personalisht më pëlqejnë raportet e mira dhe shpesh krijoj atmosferë në mesin e kolegëve e miqve. Mes nesh ka një humor, që na mban përherë pranë dhe në këmbë. Është e vërtetë që me regjisorët kemi role të ndryshme, por raportet mes nesh janë të atilla që herë ka përkëdhelje e herë “diktaturë”, por qëllimi është që në fund të nxjerrim më të mirën. Kam patur të bashkëpunoj me Ilir Vokshi, me Dino Mustafiqi nga Bosnja dhe Hercegovina, i cili është një regjisor i mrekullueshëm, ku nëntë vite më herët e ka punuar shfaqen “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, ku po ky regjisor e punon shfaqen “Vdekja e Dan Tonit”. Kam patur rastin bashkëpunim edhe me regjisorin Sllobodan Umkovski e shumë regjisorë të tjerë, të merituar.

KOHA: Ju si aktor lëvizni nga një vend në një vend tjetër, por si e përshkruani shtëpinë e aktorit, pra Tetarin Shqiptar në Shkup?

ETEMI: Hapja solemne e Tetarit të Shkupit, si godinë, është bërë në vitin 1976, ashtu siç kam dëgjuar unë – ka qenë një teatër me akustikë më të mirë në Jugosllavi, dhe kjo do të thotë që themelet si teatër janë në nivel. Por, mirë që investohet sot, që një ditë ta merr pamjen e vërtetë. Në këtë teatër kam luajtur shfaqen e parë të karrierës sime “Vdekja Aksidentale e një Anarkisti”, kam luajtur shfaqen “Pergiti”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kuçedra”, etj. Në fakt, me renovimin e teatrit, që zgjat, mund të them se kemi humbur shumë vite karrierë.

KOHA: Një rol shumë të rëndësishëm për kulturën e vendit luan vlerësimi i artit, ngase pranimi i artit në përgjithësi, tregon për kulturën që e posedon një vend. Kur ka pranim dhe vlerësim të mirëfilltë anashkalohet kriza në art? Në çfarë gjendje sot është arti?

ETEMI: Të themi se jemi në gjendje të mjerueshme, nuk jemi. Por, edhe me thënë se jemi në një gjendje të mirë, poashtu nuk gjendemi. Jemi në një situatë të varur dhe në mëshirë të kohës, si aktorë. Përveçse teatrit nuk kemi një stacion tjetër, ku të dalim e të takohemi me kolegë. Se, anija ndalet në limane të ndryshme, e ne ndalemi vetëm në një liman, në teatër. Është e vërtet që kemi lakmi kolegët tanë të Tiranës, Prishtinës, të Beogradit, të cilët i kanë nga dhjetë “limane” në muaj. Të shqepësh nga një honorar dëshiron apo s’dëshiron do ta kemi jetën më të lumtur si financiarisht apo profesionalisht do të jemi të përmbushur. Kurse ne jemi në pritje të një page mujore, të cilën pagë, vetëm për nevojat thelbësore të jetës mund të shfrytëzohet, jo më shumë. Mos mendoni se një aktor nuk i ka mbyllur njëherë sytë, që ka thënë se do ta lë këtë profesion e do të shkoj të punoj krah pune në Evropë e gjetiu.

KOHA: Aktori në skenë qesh edhe kur i qan shpirti. Si e përshkruani jetën e përditshme rreth miqve dhe familjes?

ETEMI: Kam patur batica zbatica në jetën time, prandaj falënderoj të gjithë kolegët. Në jetën time ka patur një moment, ku u rrëzova tërësisht, dhe shpëtimi i vetëm mund të ishte vetëm litari ose plumbi. Momentin kur kam qenë më së keqi, personat që më kanë dhënë dorë kanë qenë kolegët e mi. Jam njeri që nuk e harrojë kurrë të mirën dhe të keqen ua fal ata që kanë vepruar në mua. I riu si veriu, fluturon dhe se mendon. Dy vite nuk kam marrë pagë, sepse paga ime ka shkuar diku tjetër. Janë vite ku kanë qenë disa kolegë, që vërtet më kanë mbajtur me bukë. Nuk dua ti përmend me emra, sepse e di që do ta lexojnë këtë interviste dhe ata vetë do ta gjejnë veten e tyre. Ata janë njerëz, që më thonë se asnjëherë mos e përmend ndihmën tonë, sepse e kanë quajtur si detyrim moral. Kështu që, teatri është si një familje, ndonjëherë e ke vëlla, por disa herë nuk mund ta durosh. Ne në të mirë e në të keqe jemi e duhet të jemi bashkë. Gjithsesi, jam tepër i lumtur edhepse kam patur shansa të ik për në Evropë, jo për të punuar në profesionin tim, por është familja dhe kolegët që më kanë mbajt në vendin tim. Krenohem me ta dhe familjen. Kam babain Qerim, mamin Myrvete, të cilët i kam shtyllë mbështetëse, për çdo veprim që unë kam bërë. Ata kanë ndez fitil, në çdo ëndërr që kam patur, për të marr hapin. Kam dy motra, të mrekullueshme, Sibelin dhe Suerën. Poashtu kam gjetur njeriun, bashkëshorten time, Yllkë, që është mjeke, në spitalin shtetëror. Ajo është mburoja dhe krahu im, ku jemi njëzet vite bashkë. Më kupton në çdo veprim që bëj dhe asnjëherë s’më ka penguar në hapat e mia si aktor. Dashuria jonë u kurorëzua me ardhjen në jetë e vajzës Anda dhe Dua. Anda e ndjej se do ta trashëgojë profesionin tim, sepse ajo më rri kudo që unë shkoj, pra në teatër. Dhe kur bie mbrëmja ajo përshkruan çdo moment, me aq delikatesë, shfaqen që ka pa. Pra, teatri për Andan është ëndrra e çdo nate dhe ky pasion i saj më bën të kuptoj se ajo do të jetë aktore.