Autorët maqedonas nuk e di nëse do reflektojnë, por humori pa kripë e bajat, ku shqiptari është përherë karikaturë, tregon më shumë për kreativitetin e tyre. Edhe ata duhet të pickojnë, edhe veten edhe shqiptarët edhe shoqërinë. Por jo më me atë supremacinë bajate. Realiteti është tjetër më. Ai përfshin edhe mashtruesin, edhe hileqarin por edhe të mençurin, edhe të zotin, edhe të suksesshmin, si në rastin e përfaqësueses së futbollit. BBC dje, pas fitores ndaj Gjermanisë, në një tweet shkruante se e gjithë bota ishte kuq e verdhë. Në këto ngjyra ishin dhe shqiptarët, por jo si karikatura, por si fitimtarë potent!
Nga Nazim RASHIDI
Dy zhvillime po tërheqin vëmendjen kur po e shkruaj tekstin. Fitorja e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut në futboll ndaj Gjermanisë dhe një skeç humori i cili ngjalli shumë reagime për shkak të stereotipizimit dhe përqeshjes së shqiptarëve siç u vlerësua. Këto ngjarje në dukje pa lidhje me njëra-tjetrën në fakt janë refleksion i një shoqërie të ngarkuar dhe që nuk bie në paqe me realitetin e saj.
Sa i përket futbollit me të drejtë reagimet janë të mëdha sepse Maqedonia e Veriut është e para që mund Gjermaninë në kualifikimet për Kupën e Botës që nga viti 2001. Për kombëtaren gjermane kjo ishte vetëm humbja e tretë në kualifikimet për kupën e botës. Por kur lexon emrat e futbollistëve të përfaqësueses të Maqedonisë së Veriut, një i huaj mbase e kupton se është një ekip eklektik për nga përkatësia etnike. Por për ata që jetojnë në Maqedoni e dinë shumë mirë që ky refleksion shumëetnik nuk përshfaqet shpesh kaq hapur me kaq pozitivitet dhe si rrjedhojë përjetohet me doza simpatie edhe si një model për barazinë.
Dhe ndërkohë që rrjetet sociale eksplodonin me reagime gëzimi, ku në disa raste fshihej ky shumëetnicitet i ekipit, në të tjera përshfaqej me stil e në disa të tjera theksohej hapur, rrjeti paralelisht shpërthente edhe me komentet për skeçin e “Fçerashni novosti” (Lajmet e djeshme). Një emision humori që në shenjestër vë shpesh zhvillimet politike e sociale, por duke i trajtuar me humor, satirë e cinizëm. Kësaj here video e tyre disa minutëshe e titulluar “Përrallat maqedonase të regjistrimit” merreshin me çështjen e regjistrimit të popullsisë, por duke aluduar se shqiptarët do të regjistrohen duke i fryrë numrat, se do të gënjejnë se sa anëtarë janë në familje, se do të regjistrojnë edhe të vdekurit. Ky thumbim bëhej duke portretizuar shqiptarin si mashtrues, hileqar dhe të pa ditur.
Në betejën e përshfaqjes së realiteteve shumëetnike, që shpesh bëhen dhe të lodhshme, imazhi i shqiptarëve që i sjellin fitore Maqedonisë së Veriut shpesh bie në hije nga imazhet, sado me humor, që përqeshin ose përshfaqin një lloj shqiptari si ai i skeçit, që përherë është poshtë maqedonasit, më pak i vlefshëm e më pak i ditur. Këtu është dhe burimi i reagimeve të mëdha, aq më shumë që skeçi në fjalë, u publikua në një moment tejet të ngarkuar politik me regjistrimin e popullsisë, i cili nuk dihet a do shtyhet ose jo, për shkak të mishmashit që politika i bëri këtij procesi, por i cili humor ekskluzivisht përforconte paragjykimet të nacionalistëve maqedonas, të cilët realisht ashtu mendojnë se regjistrimi do të manipulohet nga shqiptarët dhe numrat e tyre do të fryhen.
Unë e pashë skeçin, i cili tashmë është hequr nga interneti, dhe qesha. Kishte humor aty. Por më shumë se kaq ka problem tjetër serioz që s’ka të bëjë aq shumë me këtë skeç, i cili ishte më shumë pa kripë. Problemi është se reflekton një gjykim që ekziston në shoqëri nga maqedonasit ndaj shqiptarëve. Çështja është se këto stereotipa dhe paragjykime asnjëherë nuk sfidohen, jo se është bërë edhe një humor pa sens. Çështja e reagimeve ka të bëjë se me vite dhe vite shqiptari në këto skeçe del i nënshtruar, me vlera më të ulëta se maqedonasi, i cili nuk flet mirë maqedonisht, del primitiv, i shëmtuar, i karikatizuar… Problemi me këtë skeç ishte se është vazhdimësi e këtij narracioni ku humori, satira, përherë bëhet me përqeshje dhe pa kripë, dhe nga këndvështrimi supremacist. Dhe kjo është çështja. Ata që kanë bërë, shkruar, xhiruar këtë skeç janë legjendat e humorit maqedonas, që kanë pickuar dhe ngacmuar të gjithë, dhe i kanë bërë të gjithë të qeshin, i kanë bërë nervoz, madje i kanë dhe ofenduar, por çështja është si asnjëherë s’kanë nxjerrë një personazh shqiptar të edukuar, të ditur, elokuent, të zotë, i cili do të mposhte paragjykimet dhe stereotipat e maqedonasit? Si s’kemi parë asnjë humor që shqiptari të jetë potenti? E ky është problemi. (Nëse kanë pasur të na falin, por asnjë nga këta personazhe s’ka marrë famën si ai shqiptari gagaç, me kapë të bardhë, me mustaqe të shkurtra që përshfaqet në vazhdimësi inferior).
Ky skeç tërhoqi vëmendjen, por një serial tjetër humori gjithashtu shfaqet në kanalin e parë të Televizionit publik, i cili quhet “Prespav”. Një shqiptar tjetër edhe aty ka një rol, edhe ai totalisht përforcon stereotipa. Edhe me mustaqe, i përulur që mezi flet maqedonisht dhe sigurisht me dije të kufizuara. Aq i dashur është për publikun ky personazh i dytë, për të cilin po flas, sa në një përzgjedhje të Bashkimit Evropian, për europianin e vitit, para do kohe aktori që luan e kishte fituar këtë epitet honorifik me vota nga publiku. Pse? Sepse një pjesë e madhe e maqedonasve ashtu i shohin ende shqiptarët. Budallallëku i zyrës së BE-së këtu në Shkup, që kishte lejuar të vihet në listën përzgjedhëse një personazh me përplot stereotipe është dëshmia se pikërisht edhe aty ku duhet të reflektohet europianizëm, në fakt shfaqen paragjykimet dhe stereotipat. Po atë vit Vigjilenca Abazi, nga Shkupi, ishte bashkautorë e një ligji që u miratua nga Parlamenti Evropian, e që do të zbatohet në gjithë BE-në. Pra më evropiania e mundshme dhe sigurisht nuk ishte në atë listë për ta votuar publiku. Prandaj janë dhe reagimet. Se këto humore në vazhdimësi shfaqin veç njërën anë, vetëm përqeshjen e njërit ndaj tjetrit, poshtërimin e njërit ndaj tjetrit.
Më vjen mirë që kishte reagime, sepse meqë kanë arritur të detyrojnë autorët ta tërheqin videon tregon se mbase kanë arritur të kuptojnë ndjeshmërinë. Reagime të tilla kishte për diversitet për shembull edhe tek çmimet Oscar dhe si rrjedhojë e tyre tashmë Akademia amerikane e filmit e ka vënë normë diversitetin, që nënkupton hapa konkret që në sipërfaqe të dalin edhe artistë me ngjyrë, aziatikë, etj.
Nga ana tjetër nuk ka pse të ndalohet humori, as ky paragjykuesi deri në fund, sepse cikli i ndalesave apo dhe kundër-humorëve me tone ofenduese për maqedonasin, siç mund të ndodhë, s’është zgjidhja. Një cikël ofendimesh me humor pa kripë e ofendues s’të çon gjëkundi. Aq më shumë që ka një nevojë për një reflektim humoristik, tallës e përqeshës të shoqërisë tonë, sepse gjërat janë larg normales. Këtë duhet ta bëjnë edhe vetë shqiptarët për vete. Madje ta bëjnë aq fuqishëm, sa të trandin të gjithë, se gjërat s’janë për të qeshur, por për të qarë. Shikoni çu bë me regjistrimin, si mos tallësh e përqeshësh? Shikoni ç’bëhet nëpër universitete, ku profesorë akuzohen për plagjiatura, ku diplomat janë të pamerituara. Po kjo është për të vajtuar, e jo për të qeshur. Dhe nëse ky vaj bëhet me humor, le të bëhet. Autorët maqedonas nuk e di nëse do reflektojnë, por humori pa kripë e bajat, ku shqiptari është përherë karikaturë, tregon më shumë për kreativitetin e tyre. Edhe ata duhet të pickojnë, edhe veten edhe shqiptarët edhe shoqërinë. Por jo më me atë supremacinë bajate. Realiteti është tjetër më. Ai përfshin edhe mashtruesin, edhe hileqarin por edhe të mençurin, edhe të zotin, edhe të suksesshmin, si në rastin e përfaqësueses së futbollit. BBC dje, pas fitores ndaj Gjermanisë, në një tweet shkruante se e gjithë bota ishte kuq e verdhë. Në këto ngjyra ishin dhe shqiptarët, por jo si karikatura, por si fitimtarë potent!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)