Turizmi vendor pritet të jetë një sektorët më të goditur nga pandemia e koronavirusit. Analizat e ekspertëve vlerësojnë se në varësi prej efekteve të masave qeveritare, prej 2000 deri në 12 mijë punëtorë në turizëm do të humbin punën nëse kriza zgjat deri në fund të këtij viti
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 26 maj- Turizmi vendor pritet të jetë një sektorët më të goditur nga pandemia e korona virusit. Analizat e ekspertëve vlerësojnë se në varësi prej efekteve të masave qeveritare, prej 2000-12 mijë punëtorë në turizëm do të humbin punën nëse kriza zgjat deri në fund të këtij viti, ndërsa humbjet financiare do të ishin mbi 200 milionë dollar apo gjysma e të ardhurave të planifikuara. Njëherësh në rastin e parë rikuperimi apo kthimi në gjendjen e vitit 2019, do të ishte në vitin 2023. Në skenarin më pesimist parashikohet që, nëse kriza zgjat deri në fund të vitit 2020, humbjet për turizmin do të jenë 4000 deri 20 mijë vende pune, ulje e të ardhurave mbi 80 për qind, ndërsa rikuperimi do të jetë i mundshëm në vitin 2027. Këtë e tregon studimi i fundit për efektet e COVID-19 ku ishin të përfshirë Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, Lidhja e Odave Ekonomike, Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe Oda e Teknologjisë Informatike.
“Humbjet do të jenë të mëdha. Sipas të dy skenarëve, nga 500 milionë dollarë që parashikohej si qarkullim – tani presim qarkullim nën 250 milionë dollarë dhe atë nëse kriza përfundon menjëherë. Mirëpo, nuk përjashtohet edhe skenari i dytë, ku do të kishim qarkullim të ulët historik në turizëm nën 100 milionë dollarë”, thotë një nga autorët e studimit, eksperti Kristijan Xhambazovski, njëherësh edhe ish drejtori i Agjencisë së Turizmit. Sipas tij, analiza ka treguar se nevojitet të vazhdohet me pagat e subvencionuara edhe për muajin qershor, kreditë e miratuara pa kamatë të jenë në nivel të harxhimeve të treguara në llogaritë përfundimtare, ndërsa kthimi i borxheve të fillojë më 1 qershor të vitit 2021 në lartësi të harxhimeve të treguara në vitin 2019. Gjithashtu, kriza ka ndikuar edhe në uljen e madhe të likuiditetit dhe qarkullimit të bizneseve të turizmit. Ulja e të ardhurave në tremujorin e parë të vitit 2020, tek 32 kompani ka qenë ndërmjet 81 dhe 100 për qind, tek 11 kompani kanë ndërmjet 61 dhe 80 për qind, tek nëntë kompani ka qenë ndërmjet 41 dh 60 për qind, e kështu me radhë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kriza ka ndikuar edhe në uljen e numrit të të punësuarve tek 42 nga 64 kompani që kanë marrë pjesë në anketë, ku tek 25 kompani është ulur numri i punëtorëve prej 81 deri 100 për qind. Kompanitë e turizmit vlerësojnë se është i domosdoshëm stimulimi i turizmit vendor përmes vendosjes së aranzhmaneve të veçanta subvencionuara si dhe përmes realizimit të një fushate të fuqishme për nxitjen e turizmit vendor.
Për tejkalimin e situatës në këtë sektor propozohet edhe pushimi i obligimeve për sigurim dhe kontroll teknik të autobusëve për transport që nuk qarkullojnë, ulje e çmimit të shërbimeve komunale për kompanitë në këtë sektor, si dhe ngrirje apo lirim nga të gjitha kompensimet dhe tatimet komunale përgjatë vitit 2020 për sektorin e turizmit.
Anketa në kuadër të hulumtimit ka treguar më tej se 100 për qind e hoteleve kanë anuluar prenotimet për muajin prill, maj dhe qershor, për korrikun ka anulim prej 89 për qind të prenotimeve në grup, për muajin gusht ka anulime prej 69 për qind dhe për muajin shtator ka anulime prej 50 për qind. Gjithashtu, për muajin shtator ka anulim prej 50 për qind, për tetor ka anulim prej 34 për qind dhe për nëntor ka anulim prej 17 për qind. Situatë e ngjashme po tregohet edhe tek agjencitë turistike që merren me ardhjen e turistëve nga jashtë. Si pasojë e Kovid-19, kompanitë e anketuara presin rënie prej 40 deri 70 për qind të ardhjes së turistëve të huaj nga Izraeli, Polonia, Gjermania, Kina, Kroacia, Holanda, Greqia, Serbia,Turqia, Bullgaria,Shqipëria etj. Në ndërkohë, gati gjysma e kompanive të hotelerisë së Lidhjes së Odave Ekonomike nuk pajtohen që të hapin objektet e tyre në bazë të rregullave të reja më rigoroze të punës. “Masat që duhet të plotësohen për hapjen e objekteve hotelerike janë shumë shtrënguese. Po lejohet puna me 30 për qind të kapaciteteve, ndërkaq kostoja për pagat, llogaritë, qiratë mbeten të njëjta. Andaj nuk ekziston një logjikë ekonomike që me protokolle të tilla, pjesa më e madhe e tyre të rifillojnë me punë në tarracat e tyre”, thotë nënkryetari i Odës turistike pranë Lidhjes së Odave Ekonomike, Martin Angellovski. Sipas tij, përkufizimet prej afër 10 metra katror për vendosjen e një tavoline janë tepër të rrepta. (koha.mk)