Skuadra e Lakers u mund 101-95 në fushën e saj nga Cleveland, ekipi që mbyll renditjen në Konferencën e Lindjes, një humbje e papritur dhe e turpshme e ekipit kalifornian. Miqtë e dominuan gjatë gjithë kohës ndeshjen, duke patur një avantazh prej 10 pikësh përgjatë takimit. Të pestë titullarët e Cleveland realizuan mbi 15 pikë, me Osman që ishte shënuesi më i mirë, me 20 pikë.
Te Lakers u ndje shumë mungesa e LeBron James, që qëndroi në stol në sfidën ndaj ish-skuadrës së tij, ende i dëmtuar, ndërkohë që shënuesi më i mirë për kalifornianët ishte Kuzma me 29 pikë. Fitore dramatike për ekipin e Torontos, që iu deshën dy kohë shtesë për të mundur Washington 140-138. Edhe pse kanadezët u shkëputën deri në 25 pikë, në fund rrezikuan ta humbisnin ndeshjen.
Më i miri për kanadezët u dallua Leonard, autor i 41 pikëve e 11 rebound, mbështetur edhe nga Siakam me 24 pikë e 19 rebound. Ndërsa për Washington nuk mjaftoi “triple double” e Beal, që e mbylli ndeshjen me 43 pikë, 10 rebaound e 15 asist. Në krye të renditjes në Perëndim vijon të qëndrojë skuadra e Denver, që bën detyrën ndaj Portland, duke fituar 116-113 (Jokic 40 pikë e 10 rebound).
Fiton edhe skuadra kampione e Golden State, që mposhti me vështirësi 119-114 Dallas, sfidë ky të dyja skuadrat e kërkuan fitoren. Doncic me 26 pikë ishte më i miri për teksanët, por që mbetën për statistikë, ndërsa për Warriors u dallua Curry me 48 pikë. Humbet skuadra e Houston, që u ndal 116-109 nga Orlando, që korri një fitore që e mban në garë për një vend në play off. Gordon e Vucevic realizuan nga 22 pikët për vendasit, duke i bërë të pavlefshme 38 pikët e 12 asist të Harden për miqtë.
Rezultatet:
New York – Philadelphia, 105-108
Washington – Toronto, 138-140
Atlanta – Milwaukee, 114-133
Orlando – Houston, 116-109
Dallas – Golden State, 114-119
Denver – Portland, 116-113
Lakers – Cleveland, 95-101