Ish-mbrojtësi i njohur holandez, Jaap Stam, ka deklaruar se humbja me Milanin nga Liverpuli në vitin 2005 dhemb më shumë dhe i kujtohet më shumë se sa triumfi në vitin 1999 me Mançester Junajtedin në Ligën e Kampionëve. Stam ishte përfshirë në disa finale të Ligës së Kampionëve, një prej të cilave finalja e Stambollit ku Milani lëshoi epërsi 3-0 dhe humbi në penalti nga Liverpuli. Ashtu si për shumë lojtarë që humbja është e papranueshme, edhe për Stamin kjo disfatë ende po e mundon. Aq shumë, sa që e konsideron momentin që më së shumti e mendon nga karriera se sa triumfi me Junajtedin.
“Kur dikush përmend finalen e Ligës së Kampionëve, gjithnjë mendoj për një humbje para triumfit në vitin 1999, dhimbja e asaj humbje në vitin 2005 ka qëndruar gjatë, vazhdon të qëndrojë. Kur goli i parë i Liverpulit hyri, ne humbëm organizimin dhe fokusin. Kur shkuam në penalti, ishim të demotivuar, ata ishin të motivuar. Por, harroni spekulimet se ne kemi festuar në pjesë të parë – ne kem pasur shumë përvojë për ët bërë një gjë të tillë”, deklaroi Stam. Mbrojtësi ishte pjesë e Milanit në kohën kur klubi kuqezi dominonte futbollin italian. Stam dikur konsiderohej një nga mbrojtësit më të mirë në botë.