Delvina KËRLUKU
Miftar Ziberi, themelues i Klubit të volejbollit “Shkëndija” të Tetovës, trajner shumëvjeçar i këtij klubi dhe ish përzgjedhës i reprezentacionit të Maqedonisë si dhe disa vite i reprezentacionit të volejbollit në Kosovë. Studimet i kryer në Beograd, në Institutin Shtetëror të Fizkulturës. Ndërsa, ato pasuniversitare në Institutin e Lartë të Fizkulturës “VojoKushi” në Tiranë në drejtimin e Volejbollit. Punoi në Gjimnazin e Tetovës, pastaj në universitete.
KOHA: Profesor Miftari, jeni themelues i Klubit të volejbollit Shkëndija të Tetovës, trajner shumë vjeçar i këtij klubi. Cilat janë hapat e parë në themelimin e klubit dhe si qëndron sot ky klub?
ZIBERI:Që nga fëmijëria e hershme kam dashur të merrem me futboll, por në atë kohë të komunizmit ishte e pamundur që shqiptarët të merreshim me këtë veprimtari. Pesë herë kam marr pjesë kur përzgjidheshin talentet. Të gjithë shqiptarët eliminoheshin, pasi ata nuk ishin fëmijë të nomenklaturës udhëheqëse të pushtetit, mirëpo pasi kreva studimet në fakultetin e DIF-it në Beogradit (Institutin Shtetëror i Fizkulturës), si i pari shqiptar nga Maqedonia, me një diplomë të këtillë mua më takonte që të jem promotor i lëvizjes për themelimin e të gjitha klubeve të degëve të ndryshme sportive. Në ato vite populli shqiptar (në përgjithësi në vitet e 70-ta) doli nga periudha e dominimit të egër të policisë politike Jugosllave si turmë e paorganizuar, andaj proceset selektive brenda korpusit të tij as që kishin filluar. Shqiptarët, siç ishin gjithnjë të margjinalizuar në forma drastike, as që merreshin me sport, pasi kjo veprimtari ishte e rezervuar vetëm për ata që kishin pushtetin në duar. Viti 1974 shënon një kthesë në gjithë zhvillimet mbarështuese politike dhe sociale në shtetin e asaj kohe që quhej Jugosllavi. Klima e decentralizimit, zbutja e kontrollit të UDB-ës, si personifikim të unitarizmit e përshkoi edhe Republikën e Maqedonisë. Unë dhe Hafezat Osmani, duke e hetuar këtë decentralizim, dhe të vetëdijshëm për rëndësinë e jetës shoqërore, sidomos të sportit, në zhvillimin e vlerave të një kombi, shpalosëm idenë e themelimit të një klubi të volejbollit, e cila u përkrah në mënyrë masovike nga shumë entuziastë, si: Muhedin Hadri, Yzeir Yzeiri, Mit`hat Emini, Shefki Haliti, Hashim Zeqiri, Abdulmenaf Rustemi, Shpend Pustina, Sali Alimi, Ylber Pustina etj., dhe të bashkuar rreth këtij qëllimi, iu përveshën punës dhe realizuam idenë e lartpërmendur, pra fillimisht themeluam Klubin e volejbollit “Shkëndija”, i cili më vonë do të jetë katalizator i një organizimi ma të gjerë sportiv të shqiptarëve në Komunën e Tetovës. Klubi i Volejbollit “Shkëndija” është i themeluar më 27 gusht 1974 në lokalet e Gjimnazit të Tetovës, dhe nga shumë propozime se si të emërtohet ky klub, u pranua ai i Zotit Yzeir Yzeiri, pasi emri SHKËNDIJA në vete ngërthente simbolikën, e cila përkonte me realitetin e kohës së viteve të shtatëdhjeta. Në këtë Kuvend Themelues u zgjodhën edhe drejtuesit e parë të kësaj skuadre të volejbollit si: Mit`hat Emini (kryetar), kurse për krye-trajner u emërova unë dhe ndihmës-trajner Hafezat Osmani. Fillimisht mbështetja financiare u dha nga Z. Sami Ismaili, i cili i bleu përgatitjet e nevojshme si veshmbathjet sportive të lojtarëve, gjithashtu edhe mjetet e lojës së volejbollit si: topa, rrjetë, antena etj. K. V.”Shkëndija” garat i filloi në shtator të vitit 1974 me shumë sukses.
Gjatë gjithë kampionatit të vitit garues 1974/`75 ky klub i volejbollit nuk humbi asnjë ndeshje. Në vitin 1978 themeluam edhe skuadrën e vajzave dhe si ndihmëse angazhuam Jabllanka Veselinovska, profesore e edukimit fizik, e cila njëherit ishte edhe lojtare aktive. Gjatë garave të bëra në tri vitet e ardhshme (deri në ndalimin e veprimtarisë së kësaj skuadre në vitin 1981), ajo luajti me sukses të ndryshueshëm në kategorinë republikane, dhe lojtaret e para ishin : Suzana Ramadani, Shadinas Shabani, Lafturie Emini, Zibide Ameti, Vjollca Saliu etj. Ishte viti 1979, periudha kohore kur në K.V.”Shkëndija” punohej me një organizim dhe profesionalizëm të dukshëm dhe si rezultat i kësaj pune vetëmohuese, kjo skuadër arriti që në ndeshjet kualifikuese, të cilat u mbajtën në Probishtip, të zë vendin e parë dhe kështu të bëhet anëtare e Ligës së Parë Republikane. Lojtarët të cilët i fituan të gjitha ndeshjet në këtë eveniment ishin: Sali Alimi (kapiten), Namikqemal Mustafa, Naser Qamili, Arif Musli, Durim Sejfullahu, Safet Sejfullahu, Reshat Ahmeti, Gazi Nurishi, Agim Demiri, Sinan Ramizi, Alajdin Osmani, Taxhedin Saliu, Fatmir Muhedini. Namik Mustafa, Naser Qamili dhe Arif Musli ishin anëtar të kombëtares së Republikës së Maqedonisë, kurse Naser Qamili edhe anëtar i kombëtares së Jugosllavisë. Në këtë kohë K.V.”Shkëndija” kishte edhe skuadrën e të rinjve dhe në përbërje të saj, lojtarët më me perspektivë ishin: Naim Murtezani, Menduh Thaçi, Abdullah Baftiari dhe Latif Ramizi. Në vitin 1981 K.V.”Shkëndija” bënte pjesë në Shoqatën sportive “Shkëndija”, e cila në gjirin e saj kishte edhe klubin e karatesë dhe atë të futbollit dhe në një ndeshje që luajti ky i fundit në fshatin Vollkovi, erdhi deri te një zënkë e madhe (si pasojë e humbjes së ndeshjes nga ana e nikoqirëve) dhe që nga ky moment fitohet preteksti për ndalimin e aktivitetit të gjitha klubeve me emrin Shkëndija. Arsyetimi ishte gjithsesi politik, që në vete ngërthente frikën nga pasojat e organizimit të shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë në institucione të tyre ku krijoheshin dhe seleksionoheshin vlerat dhe individët. Me dështimin e komunistëve dhe të ideve të tyre për rregullimin e marrëdhënieve shoqërore, u krijuan mundësi për mëkëmbjen e jetës sportive jo vetëm të shqiptarëve në Tetovë, por edhe në veset e tjera të Republikës së Maqedonisë. Më 27 gusht të vitit 1991 Në Kafeterinë “Demos” (ky ishte një nëntor i dytë i K.V. “Shkëndija”) u themelua përsëri ky klub në të dy kategoritë (të femrave dhe meshkujve), por tani me ambicie më të mëdha. Kryetar i klubit u zgjodh Yzeir Yzeiri, kurse trajner i meshkujve u zgjodha unë, ndërkaq ndihmës Sali Alimi.
Trajner i të rinjve u caktua Naser Qamili, trajner i femrave Namikqemal Mustafa dhe ndihmës i tij Taxhedin Saliu. Në këtë periudhë kohore Klubit i volejbollit “Shkëndija”, nën udhëheqjen time garoi me suksese të ndryshueshme pasi tani përparësi i jepej punës me të rinj. Sali Alimi dhe Naser Qamili brenda këtyre 7 viteve nxorën dy gjenerata të shkëlqyeshme të volejbollistëve, të cilët u bënë sinonim i volejbollit modern. Ndër lojtarët më të mirë të këtij klubi kanë qenë: Naser Qamili (lojtar i reprezentacionit të të rinjve të ish Jugosllavisë), Namikqemal Mustafa, Durim Shehabi (Luma), Sali Alimi, Arif Musli etj. Kurse tani lojtarët më të mirë Shkëndijës janë: Pëllumb Vela, Idris Bexheti, Habil Ajeti, Zylfi Baftijari Armir Ferati, Ilir Vela dhe të rinjtë me mjaft perspektivë, Flaurent Islami dhe Naim Abazi. Pas konfliktit të 2001 volejbolli ekzistoi me vështirësi të mëdha dhe, fatkeqësisht erdhi edhe momenti i shuarjes së “Shkëndisë”, që ishte krenaria e Tetovës.
KOHA: Më shumë se një dekadë keni dhënë mësim në Fakultetin e Kulturës Fizike në Kosovë në lëndën e volejbollit dhe keni qenë disa vite trajner i skuadrës nga Peja “E jona Peja” , ku edhe keni ndihmuar volejbollin kosovar. Çfarë flet kjo eksperiencë?
ZIBERI:Pas çlirimit të Kosovës organizoheshin manifestime të ndryshme dhe ne si klub shqiptar i volejbollit u ftuam që të luajmë volejboll në manifestime dhe kupa të ndryshme. Në të njëjtën kohë më ftuan që në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sporteve të japë mësimin e lëndës së volejbollit dhe njëherësh bëhem dhe trajner i Klubit pejan “E Jona Peja”. Përvoja e fituar në Republikën e Kosovës ma dha mundësinë të di se si të sillem në jetë dhe jo çdo gjë t’ia lë rastit. Kjo përvojë më mësoi që guximshëm të pranoj të gjitha provokimet dhe me vetëbesim të angazhoj dijen dhe forcat e mia që rreziqet dhe vështirësitë të më japin forcë të re për të ardhmen. Më pëlqeu kjo pyetje e Juaja pasi një proverb popullor shqiptar thotë: Më i mirë është një njeri me përvojë se dhjetë shkencëtarë, por unë kujtoj se duke dhënë mësim edhe në fakultet, e fitova edhe dijen dhe kur njeriu i posedon të dyja këto virtyte, ai ecën në çdo rrugë të panjohur duke mos e ngatërruar fare atë.
KOHA: U përzgjodhët në reprezentacionin e volejbollit në Kosovë. Pra, ky emërim ka ardhur si rezultat i punës shumë vjeçare, të cilën e keni bërë në volejboll. Çdo të thotë për një shqiptar nga Maqedonia, të jetë në krye të një institucioni të këtillë në Kosovë?
ZIBERI:Bordi i Federatës së Volejbollit të Kosovës kur më kanë emërtuan në këtë post të përzgjedhësit, e kanë ditur se unë jam personi që i plotësoj të gjitha kushtet e parashtruara nga ky institucion i volejbollit kosovar. Ofertën e bërë nga Bordi i Federatës Kosovare të Volejbollit e pranova nga shkaku se jam i vetëdijshëm se trajneri i mirë bëhet me punë dhe se dija fitohet dhe sendërtohet gjatë përvojës dhe shkollimit. Unë e di se trajner i mirë i posedon edhe këto veti: ai ka aftësi të lindura, është psikolog i mirë, e di taktikën e lojës së volejbollit,është autoritet dhe qëndron pas çdo fjale që e thotë. Ai di t’i motivojë lojtarët si dhe di si të zhvilloj procesin stërvitor. Duhet gjithashtu të jetë pedagog i mirë, duhet të jetë i pari në çdo gjë, zemërgjerë e jo i ashpër dhe ndëshkues, duhet të jetë pak mbi ndëshkimet. Trajneri dhe lojtarët duhet të jenë të relaksuar në palestër dhe të koncentruar në punë gjatë tërë kohës. Të jesh trajner i mirë është mrekulli. Ne në këtë aspekt vendnumërojmë pasi volejbolli në Kosovë Maqedoni e Shqipëri po stagnon…
KOHA: Duke pasur parasysh situatën e volejbollit në Kosovë, po ashtu edhe në Maqedoni, shtrohet pyetja se sa ka kapacitet volejbolli kosovar dhe ai vendor të ballafaqohet me volejbollin ndërkombëtar?
ZIBERI:Realisht thënë Kosova në rangun botërorë është aty kah vendi i 70, ndërsa Maqedonia është shumë më para edhe se Shqipëria. Këtë vit Shqipëria me Maqedoninë u përballën 3 herë në garat e Ligës evropiane dhe që të tri ndeshjet i humbi Shqipëria. Në garat për kualifikim në Kampionatin Botërorë, Republika e Kosovës zuri vendin e fundit me vetëm një set të fituar kundër Rumanisë, kurse ndeshjet me Rusinë, Estoninë, Malin e Zi dhe Hungarinë, Kosova i humbi me rezultatin 3:0. Në volejboll, në rrafshin botërorë gara bëhen edhe në grupin e Divizionit të shteteve të vogla dhe në këtë grup bëjnë pjesë këto shtete: Luksemburgu, Skocia, të dyja Irlandat, Uellsi, Islanda, Gjibraltari, Lihtenshtajni dhe Ishujt Fare. Unë kujtoj se duke parë nivelin e volejbollit në Republikën e Kosovës, ne vendin e kemi në këto gara dhe, tek e fundit, më mirë është që të jesh i pari i fshatit se i fundit i qytetit. Thonë se humbja është mësues më i mirë se fitorja!
KOHA: Përmes programeve të hartuara, të përshtatura me kushtet zbatuese e aftësitë e verifikuara të nxënësve/studentëve, atyre duhet sa më saktë t’u mundësohet: zhvillimi i aftësive funksionale, po ashtu edhe rritja dhe mbrojtja e shëndetit; zbulimi dhe mënjanimi apo zvogëlimi i mangësive lëvizore, mundësisht edhe të atyre psikosomatike etj. Çka tjetër?
ZIBERI: Për zbatimin e qëllimeve kryesore (që Ju më lartë i përmendni) kërkohet organizim më cilësor nga aktivi i mësuesve të edukimit sportiv përmes strukturave udhëheqëse të shkollës, të komunës e më lart, përfshirë edhe bashkëpunimin e ngushtë me prindër dhe organizatat joqeveritare, duke i përcaktuar detyrat dhe përgjegjësitë në interes të fëmijëve tanë? Këtu duhet cekur se, duke zhvilluar njërën nga aftësitë trupore të nxënësve, ne (padashur) ndikojmë edhe në zhvillimin e aftësive tjera trupore. Në këtë kuptim po ceki se domosdo që shumë prej lëvizjeve duhet tentuar që të automatizohen, sepse automatizimi çon në deri në përkryerje. Mësuesit e edukimit fizik duhet që detyrueshëm nxënësve t’ua zhvillojnë dhe mirëmbajnë aftësitë funksionale si dhe aftësitë motorike, siç janë: forca, shpejtësia drejtpeshimi, fuqia eksplozive, koordinimi, agjiliteti (ndërrimi i shpejtë i kahut të lëvizjes), i cili në thelb varet nga aftësitë e tjera motorike. Për sa i përket sëmundjeve psikosomatike, ato nuk munden të ndodhin në orët e edukimit fizik, pasi ndjenjat negative gjatë këtyre orëve të mësimit zgjasin shkurt. Vetëm reagimet emocionale negative jo të shëndetshme e ngarkojnë psikikën dhe trupin duke e bërë organizmin e fëmijës të kapshëm-jo imun nga së mundjet. Me nxënësit e shëndoshë dhe talente duhet të fillojë organizimi me aktivitetet profesionale të arsimtarëve të edukimit fizik në shkollat fillore dhe me profesorët për sport dhe aktivitete sportive në shkollat e mesme, të cilët në esencë përfaqësojnë shoqatat sportive shkollore gjegjësisht klubet sportive. Thënë për kyçje të mëtutjeshme të klubeve sportive shkollore në sistemin e garave jashtëshkollore, ato duhet që t`u bashkëngjiten organizatave komunale, të cilat janë përgjegjëse për sport shkollor, të cilat janë edhe anëtare të Federatës për sport shkollor të Maqedonisë. Një mënyrë e këtillë e garave, na mundëson organizimin e sistemit klasik garues ndërmjet klasave, nëpërmjet të kampionateve komunale, zonale, ndërmjet zonale dhe duke përfunduar me kampionatet shtetërore dhe Lojërat Olimpike Shkollore, të cilat për shkollat fillore organizohen në vitet tek (të ashtuquajtura lojëra olimpike të vogla) dhe në vitet çift garat për shkollat e mesme në të ashtuquajturat gjimnaziada. Në kohën e komunizmit çdo gjë funksiononte, unë me lojtarët e K.V. “Shkëndija” që ishin nxënës të gjimnazit të Tetovës, kam marrë pjesë në garat e sportit shkollor dhe disa herë kemi zërë vendin e parë në republikë, por një verë e kam zënë vendin e tretë në garat e rangut federativ. Në atë kohë këto gara quheshin Garat e Olimpiadave të Vogla.
KOHA: Kur flasim për metodologjinë e punës, në procesin e mësimit të lëvizjeve në edukimin sportiv, pa marrë parasysh mjetet e konkretizimit që i ka shkolla, çfarë duhet zbatuar patjetër?
ZIBERI:Patjetër duhet ditur ekzekutimin e drejtë të lëvizjes që duhet ta mësojmë dhe, në atë drejtim duhet orientuar procesin e mësimit të saj. Duhet detyrimisht të kemi incizime filmi të lëvizjes dhe pas procesit të nxehjes duhet filluar mësimin e lëvizjes. Çdo lëvizje, gjegjësisht element teknik i volejbollit duhet përsëritur deri në automatizimin e lëvizjes, gjegjësisht elementit teknik të volejbollit. Pas çdo faze të mësimit të ekzekutimit të ushtrimit duhet aplikuar zgjatjet, gjegjësisht streçing, relaksim.
KOHA: Nëse na përshkruani librat e shkollës se edukatës fizike, janë me përmbajtje të kamotshme. Çfarë në fakt mungon në librat e kësaj fushe?
ZIBERI:Pse ka libra shkollor të edukimit fizik? Edhe nëse ka ndonjë libër, atë kur e lexon askush nuk e kupton, andaj ato libra nuk duhet lexuar fare. Ato libra janë fare pa vlerë (të paktën ato që i kam pasur rastin t’i shfletoj unë). Unë sapo jam punësuar në Gjimnazin e Tetovës i hipa trenit dhe shkova në Beograd, në Ambasadën e Shqipërisë dhe i porosita të gjitha librat që kishin të bëjnë me edukimin fizik dhe lojërat sportive. Librat i mora dhe në atë kohë unë mësoja më shumë se nxënësit e mi. Nuk e dija terminologjinë në gjuhën shqipe ose më mirë me thënë e dija shumë, shumë pak. Nga ato libra kam mësuar çdo gjë! Në librin tim të volejbollit (libër në botim), kam shpikur shumë fjalë të reja për këtë lojë sportive. A do jenë domethënëse ato fjalë do e tregojë koha.
KOHA: Si njëri nga kontribuesit më të mëdhenj të sportit të volejbollit, Klubit “Shkëndija” dhe një nga themeluesit e Fakultetit të Kulturës Fizike pranë Universitetit të Tetovës, sot jeni në pension. Si ndiheni tani?
ZIBERI:Sa për dijeni, jam edhe një ndër themeluesit e parë të Universitetit të Tetovës dhe mesnatën kur duhej të mbahet Kuvendi Themelues i UT-së, ku duhej të shpallej i themeluar Universiteti i Tetovës, unë isha i përcaktuar shef i protokolli, por fatkeqësisht 10 minuta para mesnate, mua dhe shumë aktivist të tjerë na arrestuan dhe më burgosën në burgun e Kumanovës. Për sa i përket themelimit të Fakultetit të Kulturës Fizike, pas dy viteve tentimi për të bindur të ndjerin dhe shumë të dashurin rektor, Fadil Sulejmani, unë hoqa dorë nga themelimi dhe më pastaj i shkoi për dore Fadil Nikës të më bindë dhe të dy ia arritëm qëllimit dhe e bindëm rektorin Fadil Sulejmani. Ai na e dha pëlqimin dhe më pastaj me shumë aktivistë e themeluam institucionin në fjalë, kurse pyetjes për pensionimin tim po them se jam i lumtur që shijoj këto ditë pa angazhime të mirëfillta, por të gjithë e dinë se unë jam shumë i prirë që t’i gjej vetes gjithnjë punë, andaj kurrë nuk do rri duarkryq.
KOHA: Profesor Miftari, nëse e përshkruani veprimtarinë tuaj për sportin, çfarë mund të na thoni me pak fjalë?
ZIBERI: Unë kam qenë iniciator i parë për themelimin e të gjitha klubeve me emrin “Shkëndija” po ashtu edhe i Shoqatës sportive “Shkëndija”. Me një fjalë jam pishtar i sportit ndër shqiptarët e Maqedonisë dhe për fjalën pishtar në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe jepen këto sqarime: Pishtar është ai që me idetë e veta përparimtare u ndriçon dhe u hap rrugën masave të gjera të popullit për drejtësi shoqërore e përparim ndriçues, UDHËRËFYES PËR SPORT.
KOHA:Sot, brezi i ri i ka të gjitha mundësitë për t’u avancuar në sport. Nëse kthehemi pas, në çfarë vështirësi keni hasur, si në shkollim dhe në jetë?
ZIBERI:Studimet i kam kryer në Beograd dhe sigurisht që në fillim të studimeve kam pasur problemin e mosnjohjes së gjuhës serbe, por falë mirëkuptimit të profesorëve shumë të mirë, ky problem u tejkalua me lehtësi. Duhej të mësojë dyfish më shumë se kolegër të mi, dhe studimet pasuniversitare i kam kryer në Institutin e Lartë të Fizkulturës “Vojo Kushi” në Tiranë në drejtimin e volejbollit. Sot, brezi i ri i ka të gjitha mundësitë, por nuk bën asgjë! Ne në atë kohë i kishim të gjitha klubet, por fatkeqësisht palestër të mirëfilltë nuk kishim. Tani palestra kemi, por klube nuk kemi. Ne në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sporteve më të mirë e kemi pas gjeneratën e parë të studentëve dhe si ka kaluar koha, ashtu ka rënë kualiteti dhe sot jemi pothuajse baras me zero. Unë jam njeri që kam pësuar në kohën e komunizmit, më kanë burgosur disa herë dhe më kanë larguar nga puna, por unë edhe përkundër vuajtjeve dhe torturave, përsëri them se koha e komunizmit ishte më e mirë dhe, nëse unë them kështu, atëherë a mundet që të paramendohet se si jemi kantandisur sot, si mos më keq!
KOHA:Kur është fjala te vlerësimi, këtë më shumë e mirëpritni nga familja, shoqëria, apo qyteti i lindjes?
ZIBERI:Nga të gjithë, por…, askush nuk ma ka dhënë, përjashto këtu nxënësit, studentët dhe anëtarët e familjes time?!
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.