Dje u luajt një ndeshje e Kupës së Rumanisë, mes Petrolulit dhe Miovenit. Bëhet fjalë për Petrolulin që u ndesh me Flamurtarin në Europa League para pak vitesh dhe ishte një ndër klubet më të pasur në Rumani, por vitet e fundit ka falimentuar, është riemërtuar Petrolul 52 dhe tashmë është në divizionin e tretë, duke luftuar për ngjitje një kategori më lart. Dje Petroluli u eliminua pas penalltive, diçka normale, pasi Mioveni luan një kategori më lart. Megjithatë, ndeshja e djeshme përfundoi në qendër të vëmendjes për një arsye tjetër: luajti 9 minutat e fundit të ndeshjes edhe sulmuesi 18-vjeç Kosmin Lambru, i cili ka një histori fatkeqe, por është edhe një histori suksesi.
Në moshën 9-vjeçare pësoi një aksident rrugor, pasi një kamion e goditi dhe pas operacionit në spital, ishte e paevitueshme humbja e njërës dorë, nga bërryli e poshtë. Kosmin nuk u dorëzua, vazhdoi të luante futboll, edhe me një dorë, duke ia dalë mbanë, aq sa u bë pjesë e Petrolulit në sezonin 2015-2016 dhe debutoi në kampionatin rumun.