Përfaqësuesit e bankave vlerësojnë se me këto masa, në mënyrë të drejtpërdrejtë bëhet ndërhyrje në privatësinë e qytetarëve dhe humbet rëndësi e sekretit bankar
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 15 gusht – Drejtoria e të Ardhurave Publike për çdo muaj do të kontrollojë llogaritë bankare të qytetarëve dhe bizneseve. Me ndryshimet e Ligjit për Bankat që propozohen nga ana e Ministrisë së Financave, Drejtoria e të Ardhurave Publike në të ardhmen do të ketë qasje ndaj çdo transaksioni bankar dhe çdo euro kursimi të qytetarëve. Njëherazi bankat do të japin informacione të tilla edhe për Doganën, nëse ky institucion e parashtron një kërkesë të tillë deri tek bankat. Dogana këto informacione do të mund ti shfrytëzojë për pagesë të dhunshme. Në arsyetimin e propozim ligjit theksohet se këto ndryshime do të mundësojnë që Dogana të realizojë kompensime të dhunshme të obligimeve doganore, ndërsa DAP më lehtë do të përgatisë raportet vjetore tatimore për vitin e ardhshëm, thonë nga Ministria e Financave.
Nga DAP thonë se qasja ndaj llogarive bankare të qytetarëve do të jetë e automatizuar dhe shumë pak të punësuar do të kenë qasje ndaj të dhënave të tilla. Bile nga atje shtojnë se ndryshimet Ligjit për bankat, nuk do të pengojnë privatësinë e qytetarëve. Me fjalë të tjera, të dhënat do të shfrytëzohen për të plotësuar paraqitjet vjetore tatimore, ngjashëm me përvojat në Greqi, Spanjë, Danimarkë dhe Estoni.
“Shfrytëzimi i të dhënave të fituara nga bankat për DAP nuk është risi, për shkak se edhe deri tani të njëjta po shfrytëzohen rregullisht në procedurën tatimore. Edhe në ligjin ekzistues për Drejtorinë e të ardhurave publike dhe të bankave, që aktualisht janë në fuqi, rregullohet se këto të dhëna nuk janë sekret bankar, kur mund të shfrytëzohen nga ana e DAP për procedurë tatimore dhe qëllime tatimore”, thotë drejtoresha e DAP, Sanja Llukarevska.
Ajo hedh poshtë rreziqet që mund të ekzistojnë nga keqpërdorimet eventuale të këtyre të dhënave. Sipas saj, edhe aktualisht fitohen të dhëna nga bankat për personat fizik për të çilat udhëhiqen procedura të ndryshme, megjithatë deri tani nuk ka pasur ndonjë rast të keqpërdorimit të të dhënave .
Informacionet lidhur me të hollat që kanë fituar qytetarët, tatimorët i kanë edhe prej kompanive apo paguesve të mjeteve. DAP deri tani ka fituar të dhëna për llogaritë e qytetarëve vetëm me kërkesë me shkrim deri tek bankat. Në rast se ligji miratohet dhe votohet nga të zgjedhurit e popullit, tatimorët do të mund të ndjekin të ardhurat që qytetarët i fitojnë për çdo muaj nga brenda dhe jashtë shtetit. Tatimorët janë të interesuar jo për mënyrën se si qytetarët i harxhojnë të hollat, por ju intereson shuma e të hollave në të cilën duhet të paguhet tatim.
Dorëzimi i të dhënave nga institucione të tjera ku renditen edhe bankat, paraqet një praktikë bashkëkohore e administratave tatimore, ku përmes këmbimit të sigurohen të dhëna për kontrollin e kryqëzuar të të ardhurave të paraqitura dhe të paparaqitura të qytetarëve shpjegojnë nga DAP.
Nga Shoqata e Bankave të Maqedonisë kundërshtojnë ndryshimet e propozuara ligjore. Përfaqësuesit e bankave vlerësojnë se me këto masa, në mënyrë të drejtpërdrejtë kemi ndërhyrje në privatësinë e qytetarëve dhe humbet rëndësi e sekretit bankar. Ato kërkojnë një debat më të gjerë me qëllim që të shqyrtohen të gjitha rreziqet që mund të dalin nga mënyra e re e punës së DAP dhe të bankave.
“Qasja ndaj llogarive transaksionale të klientit paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të privatësisë së tij, shprehive dhe mënyrës së jetesës, që mund të shkaktojë dëm të madh, në rast se të dhënat dorëzohen deri tek personat e tretë të paautorizuar , ose publikohen në opinion. Kjo mund të ndikojë negativisht edhe në besimin që kanë qytetarët ndaj bankave”, thonë përfaqësuesit e bankave përmes Shoqatës së tyre.
Nga ana tjetër, ekonomistët thonë se zgjidhja aktuale ligjore që parashikon DAP, pa një procedurë paraprake të caktuar të ketë qasje ndaj llogarive të qytetarëve, nevojitet që të përmirësohet në favor të mbrojtjes së fshehtësisë së të dhënave të qytetarëve.
Sipas tyre, tyre edhe pse të gjitha këto ndryshime ligjore i mundësojnë Drejtorisë për të Ardhura Publike që më lehtë të përgatisë paraqitjet vjetore tatimore, mirëpo mund të pritet që qytetarët të kenë probleme serioze kur do të fitojnë këto vendime dhe do të parashtrojnë ankesa për shkak, se kjo procedurë nuk mund të bëhet në mënyrë selektive. Gjithashtu një problem serioz, do të paraqet edhe deshifrimi se si njerëzit kanë ardhur deri tek këto të holla, apo se si i kanë fituar të njëjta. (koha.mk)