Dibër, 10 dhjetor – Edhe pse ka shumë familje me varfëri ekstreme, dora e zgjatur humanitare mund të kthejë buzëqeshjen atyre që janë në nevojë shumë herë edhe për kafshatën e bukës. Familja Mustafa, e cila jeton në kushte mizore dhe me probleme të mëdha sociale në fshatin Sencë të Rekës së Epërme vite me radhë ballafaqohet edhe me mungesën e ushqimit. Gazeta KOHA realizoi një reportazh social kushtuar jetës dhe varfërisë së kësaj familje nëntë anëtarësh, dhe efektet nuk mbetën anash. Pas shkrimit dibranët masovikisht zgjatën dorën dhe i dërguan në mënyrë të organizuar sasi të konsiderueshme të artikujve ushqimor, mjeteve higjienike dhe veshmbathje. Mbi 20 familje nga qyteti i Dibrës nën organizim të biznesmenit Naim Opre, i cili drejtpërdrejt organizoi mbjelljen e të hollave dhe sigurimin e artikujve ushqimorë, kthyen buzëqeshjen të familjes Mustafa, e cila besohet se këtë dimër do ta kalojë urinë, por edhe ngrohtësinë pa probleme. Interesimi për të ndihmuar këtë familje vazhdon të jetë prezent, por edhe shumë familje të tjera paralajmërojnë ndihmë në kontinuitet për këtë familje që vite me radhë është ballafaquar me problemet të urisë. Familja e Nehat Markes ishte ndër të parat që ndihmuan skamnorët në Sencë.
“Pas asaj që lexova në gazetën KOHA, u interesova dhe dërgova një furgon me veshmbathje dimërore dhe mjete higjienike. Ishte një rast teje prekës dhe bëhet fjalë për një varfëri e cila nuk mund të përshkruhet”, thotë Nehat Marke, i cili shton se është i përgatitur që të vazhdojë të ndihmojë këtë familje nga Reka e Epërme. “Më çudit fakti se si nuk ka një ndihmë objektive nga institucionet për këtë familje”, potencon ai. Humanistët dibranë edhe kësaj herë me vrap ndihmuan familjen në fjalë. Kryefamiljari Ismail Mustafa shpreh falënderim të madh për ndihmat që pranoi nga dibranët. “Jemi shumë të lumtur për këto ndihma. Tani besoj se kemi ushqime për të kaluar dimrin. Miell, vaj, sheqer, makarona, jufka dhe shumë e shumë artikuj të tjerë ushqimor. Këtë ndihmë nuk do ta harrojmë kurrë”, thotë Ismaili dhe shton se është befasuar pozitivisht nga shpejtësia e dorës së zgjatur humanitare. Falënderoj gazetën KOHA, e cila mundësoi që opinioni të informohet me situatën tonë të rëndë. Kam invalid dhe nuk mund të punoj. Kam shtatë fëmijë, të gjithë nën moshën 18 vjeçare. Jeta në fshat është e rëndë dhe shpesh kemi pasur probleme edhe për të siguruar bukën”, sqaron Ismaili, i cili me lot në sy shpreh falënderime të përzemërta për të gjithë familjet që e ndihmuan. Fshati Sencë gjendet në një lartësi mbidetare prej mbi 1 mijë metra dhe dimrat këtu janë të ftohtë. Bora qëndron me muaj dhe është rënde të mbijetosh. Në fshat ka afro 30 shtëpi, por këtu jetojnë vetëm pesë familje shqiptare të dy besimeve fetare, muslimane dhe ortodokse. Me që kushtet janë të rënda banorët kanë migruar, na thotë bashkëshortja e Ismailit, Etleva. Jeta e kësaj familje është vështir të imagjinohet. Kryefamiljari Ismaili ka 65 vjet dhe është i sëmur. Fëmija më i madh është vetëm 13 vjet. Edhe gjatë vizitës sonë të dytë në këtë familje, vërejtëm se mungojnë orenditë primare shtëpiake. S’ka një dollap, nuk ka një çezmë e mos flasim për televizor, që për këtë familje është vetëm një ëndërr. Familja nëntë anëtarësh jeton vetëm me të hollat që marrin nga fëmija i tretë. Familja vazhdon të jetojë vetëm në një dhomë dhe mbijeton nga një lopë, e cila kryesisht përdoret për furnizimin e familjes me qumësht. Dibranët janë humanistë dhe në raste të këtilla nuk ngurojnë të ndihmojnë me atë që kanë. Po ashtu ka edhe shumë pronarë të firmave të cilët kërkojnë informata për këtë familje skamnore të cilën duan ta ndihmojnë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.