Anketat e publikuara para zgjedhjeve janë pjesë e Strategjisë së fushatës zgjedhore të partive politike, në të shumtën e rasteve përdoren edhe si mjete për ndikim politik, të kandidatëve apo partive politike…
Destan JONUZI
Shkup, 15 prill – Edhe pak ditë na ndajnë nga dita, kur qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të përcaktohen për njërin nga tre kandidatët për president. Përveç betejës në terren, paraqitjeve në media, kandidatët dhe partitë politike, sidomos LSDM dhe VMRO-DPMNE, herë pas herë luajnë me “nervat” e njëri-tjetrit, duke publikuar edhe anketa që nxjerrin kandidatin e tyre si favorit. Por, a mund të parashikohet rezultati i zgjedhjeve nga anketat?
Gazmend Ajdini, njohës i proceseve të anketave parazgjedhore, thotë se anketat e opinionit publik , para dhe gjatë zgjedhjeve, kanë për qëllim të jenë bazë e përpilimit të Strategjisë së fushatës zgjedhore të partive politike, por ato shumë shpesh përdoren edhe si mjete për ndikim të opinionit lidhur me fuqinë politike të ndonjë subjekti apo kandidati. “Ato hulumtime që nuk bazohen në principet themelore të shkencës së statistikës dhe që zakonisht bëhen në rrjetet sociale apo nga institucione të cilat nuk e kanë funksion primar hulumtimin. Besueshmëria e tyre varet prej porositësit të fushatës , dhe serioziteti i institucionit i cili ka bërë anketimin. Në princip në vendin tonë tani më janë etabluar institucionet të cilat kanë besueshmëri duke pasur parasysh saktësinë e hulumtimeve të tyre në të kaluarën”, deklaroi për gazetën KOHA, Ajdini.
Nga ana tjetër, Daut Dauti, analist politik thekson se anketat që publikohen para zgjedhjeve janë për përdorim dhe qëllime të fushatës, dhe se sipas tij rezultatet e tyre duhet të merren me rezervë. “Ç’do parti tenton që ta paraqes vetën në pozitë më të mirë. Mendoj se anketat në kohë fushatash bëhen për veprime propagandistike. Nuk di sa janë relevante, andaj rezultatet e tyre mendoj se duhet të merren me rezervë”, deklaroi për gazetën KOHA, Dauti.
Fushata për zgjedhjet Presidenciale 2019, zyrtarisht filloi më 1 prill, ndërsa do të zgjasë deri më 19 prill, pas çka vijon heshtje 24 orë zgjedhore para ditës së votimit më 21 prill. Asambleja parlamentare e OSBE-së do të sistemojë pothuajse 50 vëzhgues, duke përfshirë edhe 31 deputetë në vend gjatë javës së ardhshme për zgjedhjet presidenciale. Kryesuesi i OSBE-së e emëroi deputetin francez Serejn Mauborn për koordinues special i cili do ta udhëheq misionin afatshkurtër vëzhgues të OSBE-së. Deputeti austriak Reinhold Lopatka, megjithatë, do ta kryesojë delegacionin e vëzhguesve nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së. (koha.mk)