Hulumtim: Nxënësit e shkollave të mesme konfirmojnë ekzistimin e dhunës në mes veti

Shkup, 19 shtator – Dhuna verbale është forma më e shpeshtë e dhunës ndërmjet moshatarëve në shkollat, ndërsa pas saj vijnë dhuna përmes rrjeteve sociale dhe dhuna fizike. Gati se të gjitha denoncimet për dhunë përfundojnë në shkollat sepse mungon koordinim mes sektorëve që të mundet të parandalohet.

Këtë e tregon hulumtimi i Koalicionit të organizatave rinore TANI i zbatuar në maj të këtij viti në 15 shkolla të mesme në tetë komuna:Manastir, Kërçovë, Prilep, Shtip, Strugë, Strumicë, Kavadar dhe Ohër. Me pyetësor anonim ishin anketuar gati 1.500 nxënës të shkollave të mesme të moshës prej 14 deri në 18 vjeçare, si dhe 30 arsimtarë ose kuadër profesional (psikolog dhe pedagog), ndërsa Koalicioni TANI sot i prezantoi rezultatet.

“Hulumtimi tregoi se 70 për qind e numrit të përgjithshëm të të anketuarve kanë deklaruar se ekziston dhunë dhe ajo është e dhënë frapante, 15 për qind kanë deklaruar se ishin viktimë e dhunës ndërmjet moshatarëve. Gjysma e numrit të përgjithshëm të të anketuarve kanë thënë se dhuna njëjtë ekziston edhe te femrat edhe te meshkujt. Dhuna realisht ekziston dhe ndodh, ndërsa nga aspekti i intervenimit shmangen procedurat e brendshme. Nxënësit nuk e dinë se çka të bëjnë, mungojnë informacione ku duhet të denoncohet, ndërsa 55 për qind thonë se do të denonconin. Ka edhe nxënës të cilët nuk kanë guxim dhe frikohen që të denoncojnë”, deklaroi Zoran Ilieski, drejtor ekzekutiv i TANI. Me hulumtimin nuk është përfshirë kryeqyteti. Shkupi, sipas tij, është shmangur me qëllim sepse u ka interesuar se çka ndodhë në shkollat e mesme në brendi.

Autorja e analizës Maria Nashkovska theksoi se me hulumtimin kanë tentuar që t’i marrin vesh perceptimet e nxënësve, nga njëra anë si dëshmitarë të dhunës në shkolla, ndërsa nga ana tjetër si dhunues ose si viktima.
Nën dhunën verbale, e cila është më e përfaqësuar sipas hulumtimit, nënkuptohen thashetheme, tallje, ofendim në vazhdimësi… Nashkovska vlerëson se joserioze është qasja për zgjidhjen e këtij lloji të dhunës, për të cilën fëmijët-viktima së pari drejtohen te prindërit e tyre.

“Për parandalim të dhunës ndërmjet moshatarëve nuk ka mekanizëm të veçantë, por vlejnë mekanizmat e njëjtë si për shkeljen e rendit shtëpiak të shkollës. Më së shumti përdoren vërejtjet me shkrim nga kujdestari i klasës dhe sjellja e thyer. Nxënësit, por edhe arsimtarët, e kuptojnë dhunën verbale si zënkë të thjeshtë fëmijërore. Por, nëse kjo nuk zgjidhet dhe nëse nuk intervenohet në atë moment, më tutje mund të arrijë deri në format më të këqija të dhunës, madje edhe deri te dhuna fizike”, tha Nashkovska.

Hulumtimi jep rekomandime në dy nivele – të punohet direkt me prindërit sepse kjo do ta përforcojë preventivën, ndërsa te kuadri arsimor të zhvillohen aftësi për zbatimin e programeve arsimore dhe përmbajtje për zgjidhjen e qetë të konflikteve. (koha.mk)