Në hulumtimin e ri të bërë nga Forumi Rinor Arsimor dhe i mbështetur nga Qeveria Britaneze, është vërejtur një dallim i madh mes të rinjve shqiptarë dhe maqedonas, sa i përket besueshmërisë në institucione dhe njohjen e problemeve rinore
Zenel MIFTARI
Shkup, 2 janar – Forumi Rinor Arsimor, ka prezantuar hulumtimin e ri të cilin e ka zhvilluar kryesisht me të rinjtë e vendit. Hulumtimi ka përfshirë disa pyetje nga fusha të ndryshme që i tanojnë të rinjtë në vendin tonë. Pyetjes se sa të rinjtë mendojnë se institucionet i njohin problemet e të rinjve dhe nevojat e tyre, 81% prej të anketuarve janë përgjigjur që autoritetet shtetërore nuk i njohin dhe nuk përkujdesen për nevojat dhe problemet e rinisë në vendin tonë, ndërsa 16% prej tyre kanë thënë se institucionet shtetërore përkujdesën për problemet dhe nevojat rinore, ndërsa 3% prej tyre kanë refuzuar të përgjigjen apo nuk kanë pasur njohuri. Por nëse hulumtimi ndahet mes komuniteteve në vend atëherë kemi një dallim të madh mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Nga të rinjtë maqedonas 38% janë shprehur se autoritetet nuk interesohen për problemet e tyre, ndërsa 65% e të rinjve shqiptarë janë përgjigjur se autoritetet shtetërore nuk interesohen për problemet e tyre.
Në hulumtim gjithashtu ka qenë e përfshirë edhe notimi i institucioneve shtetërore, organizatave dhe grupeve të tjera të interesit. Në pyetjes se me çfarë note nga 1 deri në 5 i notoni institucionet që mendoni se punojnë në të mirën e shoqërisë, tre institucione më të besueshme kanë dalë shkollat e mesme, organizatat rinore dhe Agjencia për Rini dhe Sport. Ndërsa tre institucionet që të rinjtë i kanë vlerësuar më së paku për besueshmëri dhe punë në të mirë të rinisë sipas rezultateve kanë dalë partitë politike, parlamenti dhe komunat të RMV. Hulumtimi gjithashtu kishte për qëllim për të parë se sa mendojnë të rinjtë se Qeveria është e angazhuar për zgjidhjen e problemeve rinore në vend. Në pyetjen se sa të rinjtë mendojnë se qeveria është e angazhuar mjaftueshëm për zgjidhjen e problemeve rinore. Sipas rezultateve më pak se një në katër të rinj mendojnë se qeveria nuk angazhohet për zgjidhjen e problemeve rinore. Me përqindje vetëm 22% mendojnë se Qeveria angazhohet për zgjidhjen e problemeve rinore, ndërsa 75% prej tyre janë përgjigjur se Qeveria nuk angazhohet mjaftueshëm për zgjidhjen e problemeve të tyre, ndërsa 3% prej tyre kanë refuzuar të përgjigjen.
Përveç përcaktimit të nivelit të besimit që kanë të rinjtë tek autoritetet, hulumtimi ishte i përqendruar se në çfarë mase e ndjejnë ata personalisht se mund të ndikojnë në punën e autoriteteve shtetërore. Sipas rezultateve nga hulumtimi pjesa e konsiderueshme e të rinjve besojnë se ata nuk mund të ndikojnë në mënyrën e funksionimit të autoriteteve. Saktësisht 81% e të rinjve besojnë se ata nuk mund të ndikojnë në punën e autoriteteve shtetërore, ndërsa vetëm 12% prej tyre se pjesërisht mund të ndikojnë në punën e autoriteteve shtetërore.
Samet Shabani, nga sektori civil vlerëson se skepticizmi i të rinjve vjen si rezultat i dështimeve të një pas njëshme të qeverisë tonë.
“Të rinjtë kanë të drejt të jenë skeptik ndaj zhvillimeve politike në vend sepse me të vërtet organet shtetërore nuk kanë ndërmarr asgjë për të avancuar kushtet e tyre të veprimit. Organet shtetërore duhen të angazhohen më shumë dhe të punojnë drejtpërdrejt me të rinjtë që të njihen me problemet reale të të rinjve”, shton Shabani. Sipas tij, gjithashtu autoritetet shtetërore duhet të ndihmojnë më shumë organizatat jo qeveritare rinore që ta shtojnë veprimtarin e tyre dhe të ndihmojnë gjeneratat e reja për të përgatitur për në tregun punës. Zhgënjimi i të rinjve ka ardhur si pasoj e ngecjes së rezultateve pozitive të institucionet deri më tani.