Shkup, 9 nëntor – Autoritetet qendrore dhe lokale, organizatat joqeveritare, sektori privat dhe amvisëritë nevojitet që përmes qasjes integruese dhe me përpjekje të përbashkëta ta zgjidhin problemin me ndotjen e ajrit në Shkup. Në takim morën pjesë ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Sadulla Duraki, zëvendësministri Jani Makraduli, kryetari i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov dhe kryetarët e komunave nga Rajoni planor i Shkupit. Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Maqedoni Luiza Uinton informoi për hulumtimin e tyre që ka treguar se amvisëritë me ngrohjen e tyre marrin pjesë me një të tretën në ndotjen e ajrit, ndërsa me 20 për qind marrin pjesë transporti, industria dhe ndërtimtaria. “Rezultati më i rëndësishëm nga studimi është se 45 për qind e amvisërive ngrohen me dru ose me materie të tjera të dëmshme për ajrin. Shkupi shpenzoi 370.000 tonë dru për ngrohje që është e barabartë me numrin e drunjve në vit që ndodhen në Vodno”, tha Uinton. Ajo theksoi se kanë dalë tre propozime për tejkalim të problemit me ndotjen e ajrit, amvisëritë t’i ndryshojnë furrat e tyre të vjetruara të cilat funksionojnë me drunj ngrohës me furra në paleta, investim në izolim të shtëpive dhe sa më shumë amvisëri të kyçen në ngrohjen qendrore.