Tetovë, 27 nëntor – Të gjitha etnikumet mund të bashkekzistojnë në vend, tregoi hulumtimi “Sjellja etike e të rinjve në mjedis multikulturor”, rezultatet e të cilave janë promovuar sot në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë.
“Në pyetjen ‘Nëse të gjitha etnikumet mund të bashkekzistojnë në Maqedoni, shumica ose 88,7 për qind kanë pasur mendim pozitiv, ndërsa 11,3 për qind negativ. Në pyetjen ‘nëse është etike të vendosen etiketime të ndryshme për pjesëtarët e etnikumeve dhe kulturave tjera’, 79 për qind vlerësojnë se sjellja e tillë nuk është etike, ndërsa 21 për qind vlerësojnë më ndryshe”, u tha në prezantimin.
Para nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve të pranishëm, fjalim mbajti ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, i cili e theksoi rëndësinë e multikulturalizmit dhe njohurisë së më shumë gjuhëve.
“Unë kam mësuar në gjuhën maqedonase dhe jam krenar me këtë pasi shumë kam fituar. Mësova shumë për atë kulturë dhe përfitova shumë miq. Llojllojshmëria është pasuri, e jo mangësi e shoqërisë. Ato janë vlera të cilat duhet t’i kultivojmë. Ju të rinjtë jeni figurë qendrore e shtetit, arsimit dhe të gjitha rrjedhave shoqërore”, tha ministri Ismaili.
Sipas rektorit të UEJL-së, Abdulmenaf Bexheti, projekti i tillë ka ndikim pozitiv. “Ne si UEJL jemi model unikat i sjelljes në ambiente të shoqërisë multikulturore në rajon dhe Universiteti është model tipik për këtë”, tha Bexheti.
Hulumtimin e zbatoi Instituti Maks van der Shtul pranë UEJL-së dhe me të janë përfshirë 300 njerëz nga Tetova dhe Gostivari. (koha.mk)