Maqedonia nuk e pati atë “nder” të prodhojë ndonjë Millosheviq të madh, por tentativat ishin që ndonjë picirruk i mëhallëve të harruara të Shkupit të ngjitet në skenë me idenë e gjoja rikthimit të lavdisë antike të këtij shteti që kishte vuajtur për shumë vite mungesën e vetëdijes historike. Por në momentin kur lavdia filloi të shndërrohet në gips dhe stiripor, prej atëherë u zbërthye edhe kodi qesharak i sajesave mitologjike
Nga Emin AZEMI
Huliganizmi po mundohet të mos dorëzohet. Marrëveshja e arritur në mes të Athinës dhe Shkupit si duket i ka shqetësuar të gjithë ata që nuk duan qetësi e stabilitet në këtë pjesë të Europës ballkanike. Zjarrvënie, thyerje dhe vandalizma të ndryshëm u regjistruan të dielën në mbrëmje para Parlamentit të Maqedonisë. Policia që parandaloi eskalimin e mëtejmë të situatës u quajt “shiptarska”. Mbeturinat e nacionalizmit primitiv maqedonas kanë filluar të mendojnë se mbrojtësit më të denjë të shtetit, tani për tani, janë shqiptarët dhe me automatizëm ata kanë filluar ta urrejnë edhe policinë.
Ndoshta pse më 27 prill të vitit të kaluar ishte pikërisht një pjesëtar shqiptar i njësisë speciale të policisë që tregoi gatishmëri dhe nivel të lartë profesional në ushtrimin e detyrës në atë ditë kritike, kur huliganizmi kishte shpërthyer gardhin e vetëpërmbajtjes dhe ia kishte mësy Parlamentit për të penguar zgjedhjen e kryeparlamentarit. Huliganët nuk ia falin çdo shqiptari që punon me nder në këtë shtet. Ata duan të ketë huliganë edhe në radhët e shqiptarëve, sepse vetëm si huliganë të bashkuar mund të prishin punë më shumë. Por, kjo nuk ndodhi dhe s’ka për të ndodhur asnjëherë. Shqiptarët nuk janë pa ndërgjegje politike dhe nuk udhëhiqen nga stihia e turmave. Pikërisht ky ndërgjegjësim politik i shqiptarëve ka filluar t’i shqetësojë banditët e nëntokës maqedonase. Ata po e shajnë Zaevin për “fleksibilitet të tepruar” me shqiptarët dhe e keqja më e madhe e Maqedonisë, sipas tyre, është barabarësia e shqiptarëve, ndonëse shqiptarët më mirë se kushdo tjetër e dinë saktësisht se sa janë të barabartë në këtë shtet. Sa më të pabarabartë shqiptarët, aq më e forte bëhet Maqedonia. Kështu mendojnë fosilet e nacionalizmit arkaik maqedonas.
Ata madje edhe marrëveshjen e arritur me Greqinë e shohin si rrezik për Maqedoninë, sepse me këtë përshpejtohet procesi eurointegrues. Sa më të tendosura marrëdhëniet me fqinjët, aq më të mëdha janë gjasat për të mbijetuar elitat e korruptuara në Maqedoni. Gruevski dhe kompania e tij nuk do të mund të kishin këtë jetëgjatësi në politikë sikur marrëdhëniet me Greqinë të ishin stabilizuar më herët. Çdo stabilizim i këtyre marrëdhënieve rrezikon perspektivën e kësaj mendësie politike, kurse në planin ndëretnik shqiptarët shihen si problem. Për ta ushqyer këtë problem, në të kaluarën u inskenuan incidente të ndryshme, prandaj sot nuk është e pranishme dukuria e rrahjes së nxënësve shqiptarë nëpër autobusa urbanë.
Nacionalizmi maqedonas i ka disa problem, por problem kryesor është i karakterit politik.Partia që deri dje ishte nxitëse dhe promovuese e këtij nacionalizmi, aktualisht po përballet me mospajtime e përplasje të brendshme. Një pjesë e madhe e strukturës së kësaj partie e shohin gruevizmin si hije që ua nxin ardhmërinë reformave, kurse një pjesë më e vogël, por tepër ortodokse në qëndrime, ende e mban ish liderin e tyre si një ikonë të shenjtë para së cilës përkulen me devotshmërinë e turmave pa tru. Por përvojat ballkanike në të kaluarën kanë dëshmuar se tragjedia e popujve nuk ka ndodhur atëherë kur janë sulmuar prej armiqve, por kur brenda vetës kanë kultivuar heronj në përmasat e idolëve që ua kanë shtuar armiqësitë me të tjerët. Fati i rankoviqëve e millosheviqëve ka qenë ngushtë i lidhur me historinë më të errët të popullit serbë dhe vetëm atëherë kur u eliminuan ata nga skena ky popull filloi ta sheh veten se sa larg kishte shkuar ëndrra e pushtimit të hapësirave të huaja.
Maqedonia nuk e pati atë “nder” të prodhojë ndonjë Millosheviq të madh, por tentativat ishin që ndonjë picirruk i mëhallëve të harruara të Shkupit të ngjitet në skenë me idenë e gjoja rikthimit të lavdisë antike të këtij shteti që kishte vuajtur për shumë vite mungesën e vetëdijes historike. Por në momentin kur lavdia filloi të shndërrohet në gips dhe stiripor, prej atëherë u zbërthye edhe kodi qesharak i sajesave mitologjike. Kështu edhe u dekompozua një strukturë që kishte ushqyer me vite iluzionin e vetëmashtrimit.
Tani ky vetëmashtrim ka mbetur të shprehet vetëm në formë të huliganizmit urban, por pa ndonjë pusullë të qartë. Një nacionalizëm bajat për t’u vajtuar. (koha.mk)