Athinë, 11 korrik – Dëshiroj të theksoj se nuk pati vërshime, por drunj të rënë për shkak të erës së fuqishme dhe ky ishte shkaku për vdekjen e njerëzve, tha ministri për mbrojtje civile të Greqisë, Mihailis Hrisohoidis gjatë takimit të jashtëzakonshëm në Selanik të mbajtur sot në mëngjes, pas motit të lig në Halkidiki, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Ministri konfirmoi se kanë vdekur gjashtë turistë nga Rusia, çekia dhe Rumania, mes të cilëve edhe dy fëmijë, ndërsa është zhdukur një peshkatar, pas të cilit po gjurmon roja bregdetare.
Pas motit të lig ekzistojnë probleme serioze në furnizimin me energji elektrike që është ndërprerë prej dje në disa pjesë të Halkidikit.
Paralelisht, dëm i madh është shkaktuar në rrjetin rrugor në komunën Halkidiki.
“Do të punojmë në orët dhe ditët në vijim të kthehet në normalitet jeta në rajon. Kjo është detyrë e jona, ndërsa në vazhdim do të merrni vesh edhe për sanimin e dëmeve dhe gjithçka tjetër që është paraparë me ligjet. Këtu jemi të gjithë së bashku ta mbështesim Halkidikin, të shprehim keqardhje për viktimat e pafajshme dhe në të njejtën kohë shpejtë t’i mbyllim plagët”, tha Hrisohoidis.
Në takimin në Selanik të mbajtur sot në mëngjes, përveç ministrit, morën pjesë edhe prefekti i rajonit Maqedonia qendrore, Apostolos Xixikostas dhe zëvendësit e tij, kompetentë për mbrojtje civile, prefekti i qytetit, përfaqësues të ushtrisë, policisë, rojes bregdetare dhe ndihmës urgjente me qëllim që të caktohen hapat dhe masat konkrete për përballje me situatën.
Ministri u bëri thirrje qytetarëve, nëse kanë informata për të zhdukur, të paraqesin në numrat e telefonit 100 të policisë greke dhe 112 të mbrojtjes civile.