Uashington, 26 shtator – Emërimi i Methju Palmerit për përfaqësues të posaçëm të sekretarit shtetëror të SHBA-së Majk Pompeo për Ballkanin Perëndimor tregon se sa është me rëndësi që diplomacia amerikane të gjejë zgjidhje për çështjet afatgjate në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, deklaroi gjenerali në pension i Armatës amerikane, Benxhamin Hoxhis. Ai, siç njofton Beta, vlerëson se punët në Ballkan nuk do të përmirësohen vet prej vetes, transmeton KOHA.
Në bisedë për Zërin e Amerikës (VOA), Hoxhis i ka përshëndetur përpjekjet e ripërtërira të SHBA-së që të ndihmojë në zgjidhjen jo vetëm të marrëdhënieve të ndërlikuara mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe stabilizimin e rajonit më të gjerë, duke përfshirë edhe Bosnjë e Hercegovinën, si dhe konsolidimin e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut.
“Emërimi i Palmerit është me rëndësi për dy shkaqe. E para, kjo është dëshmi për seriozitetin e raportit të SHBA-së me rajonin. Kur SHBA-ja dërgon të dërguar të posaçëm, kjo është porosi deri te të gjitha palët se tentojmë të ndihmojmë në zgjidhjen e problemit”, tha Hoxhis, i cili mori pjesë në konferencën vjetore të Qendrës për analizë të politikës evropiane me seli në Uashington. Sipas Hoxhis, tërë rajoni i Ballkanit është tejet i rëndësishëm.
“Rajoni është pjesë e konkurrencës së forcave të mëdha. Mendoj se Moska bën shumë që të mbetet jostabil. Nuk është e interesuar për çfarëdo stabilizimi të rajonit. SHBA-ja pa dyshim duhet të angazhohet. Punët nuk do të përmirësohen vet prej vetes”, tha Hoxhis. (koha.mk)