Prishtinë, 15 janar – Nënkryetari i Qeverisë së Kosovës dhe anëtar i delegacionit shtetëror për negociata me Serbinë, Enver Hoxhaj paralajmëroi se takimi i ardhshëm i ekipeve negociuese të të dy shteteve me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian do të mbahet në Bruksel gjatë muajit të ardhshëm, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Hoxhaj për gazetën “Zëri” deklaroi se Prishtina ende nuk ka marrë kurrfarë ftese zyrtare, por që duhet të pritet mbledhja në suaza të dialogut për gjetje të zgjidhjes përfundimtare mes dy vendeve që të mbahet gjatë muajit shkurt.
Gazeta citon se delegacioni kosovar, i cili ishte formuar nga Kuvendi kah fundi i muajit të kaluar, nesër do ta prezantojë platformën e saj për dialog në Bruksel, në të cilën do t’i tregojë temat për të cilat të dy vendet do të bisedojnë.