Hoxhaj: Kurti e Osmani po krijojnë atmosferë të frikës

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka akuzuar presidenten Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për krijim të një atmosfere të frikës, teksa ka thënë se vendi javëve të fundit po udhëhiqet nga frika.

“Kur kryeministri javën e kaluar foli për luftën dhe presidentja këtë javë për traktatin e mbrojtjes, qëllimisht po mbjellin një atmosferë frike, duke zëvendësuar temat e brendshme të krizës ekonomike dhe me slogane të politikës së jashtme! Kosova, për shumë vite ka qenë e sigurt nga pikëpamja psikologjike, kurse në javët e fundit po udhëhiqet nga frika! Kjo nuk po bëhet për ta mbrojtur shtetin dhe sovranitetin, por për ta përmbushur egoizmin personal dhe populizmin partiak! Kjo është kohë që kërkon vendosmëri, maturi dhe qëndrueshmëri. Nuk është kohë e parullave si frymëzime të çastit drejt moçalit politik, nga ku s’mund të dalim assesi! Tani, takimin e 18 gushtit, a do ta filloni nga mos sulmi, apo nga mbrojtja”, ka shkruar Hoxhaj nw Facebook.

Ai ka shtuar se deklarata e presidentes Vjosa Osmani, për traktatin e mbrojtjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Shqipërisë është vetëm një slogan.

Advertisements

Ai ka thënë kjo ide është serioze vetëm atëherë kur diskutohet dhe koordinohet paraprakisht me Shqipërinë, duke akuzuar Osmanin se këtë ide e ka shpallur vetëm si slogan, që sipas tij, zuri në befasi edhe homologun e saj, Bajram Begajn në konferencën e tyre të përbashkët të hënën.

“Kosova ka një Partneritet Strategjik me Shqipërinë nga janari i 2014, i dalë nga mbledhje të qeverisë të përbashkëta, marrëveshje të nënshkruara, me sekretariat që koordinon tema dhe ku prioritet i lartë është fusha e sigurisë! Sigurisht, që ky mekanizëm do merrej me temën dhe përmbajtjen e traktatit para se të miratohej në Kuvend! Duket se nuk e dinë këtë? Por, të paktën, besoj që e dinë që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe që një traktat i tillë nuk ndodh pa koordinim me të! Jam shumë për bashkëpunimit me Shqipërinë, si adresë kryesore e hartimit të Partneritetit Strategjik! Por, shqetësimi kryesor është paaftësia e tyre për të shfrytëzuar mundësitë pas rastit të Ukrainës, për t’u bërë të paktën pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-s”, ka shtuar Hoxhaj në një postim në Facebook.