Ish-Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj ka kritikuar Qeverinë Kurti për vendimin për heqjen e taksës dhe zëvendësimin me reciprocitet.
Hoxhaj përmes një statusi në Facebook ka thënë se kryeministri Kurti është shkarkuar nga Kuvendi, prandaj edhe nuk mund të marrë vendime.
Sipas tij, kjo qeveri e ka rolin kujdestar, prandaj nuk duhet të sillet sikurse ka legjitimitet të plotë.
Deputeti i PDK-së ka thënë po ashtu se “kryeministri, me veprime të papërgjegjshme, vazhdon të mos i përfill kërkesat e aleatëve tanë, për çka edhe u shkarkua”.
Postimi i plotë i Enver Hoxhajt në Facebook:
Kryeministri është i shkarkuar nga Kuvendi dhe nuk mund të marrë vendime. Kjo qeveri e ka rolin kujdestar dhe jo të sillet sikurse ka legjitimitet të plotë. Kurti nuk është konsultuar as me partitë parlamentare dhe as me partnerët qeverisës. Kryeministri, me veprime të papërgjegjshme, vazhdon të mos i përfill kërkesat e aleatëve tanë, për çka edhe u shkarkua. Ndërkohë, kryeministri ka premtuar reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tragtar, e sot po ofron reciprocitet në vula, dokumente tregtare, duke harruar premtimet që ka dhënë. Megjithëse jo që ne i kemi besuar ndonjëherë.
Çdo ditë që po kalon dhe çdo veprim që e bën, Kurti tregon mungesë të zotësisë për të qeverisur. Ai e ka merituar shkarkimin për shkak të politikave të gabueshme dhe shkeljeve të përditshme që bën ndaj Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve.