Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar një delegacion nga Maqedonia e Veriut, të përbërë nga zëvendës-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Tahir Hani, si dhe Ylber Sela, drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Ligjit për Gjuhët.
Në këtë takim u diskutua në lidhje me bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, për të siguruar zbatim të plotë të Ligjit për Gjuhët.
Me këtë rast numri dy i Qeverisë tha se Kosova do ta ndihmojë përgatitjen dhe përkthimin në gjuhën shqipe të legjislacionit atje.
“Jam shumë i lumtur që takova mysafirët nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, Tahir Hanin dhe Ylber Selën, për të folur në lidhje me ndihmën dhe mbështetjen që Kosova do t’ia ofrojë Shkupit zyrtar në përkthimin e infrastrukturës ligjore në gjuhën shqipe, pas miratimit të Ligjit për Gjuhët, muaj më parë”.
Duke e konsideruar si shumë të rëndësishëm për shqiptarët miratimin e Ligjit për Gjuhët në Maqedoninë e Veriut, Hoxhaj tha se Kosova do të jetë në dispozicion për t’iu përgjigjur kërkesave të Shkupit për ta ndihmuar zbatimin e tij.