Hoxhaj: Beogradi e vrau Oliver Ivanoviqin me urdhër të Vuçiqit

Prishtinë, 15 mars – Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj deklaroi sot se është e qartë se prapa vrasjes së vitit të kaluar të politikanit Oliver Ivanoviq, një nga liderët e serbëve të Kosovës, qëndrojnë autoritetet në Beograd, ndërsa porositës është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Reagimi i Hoxhajt është përgjigje ndaj deklaratës së drejtorit të Zyres për Kosovë në Qeverinë serbe, Marko Gjuriç, i cili sot theksoi se përgjegjës për vrasjen e Ivanoviqit janë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe spikeri parlamentar, Kadri Veseli.

Hoxhaj, i cili është zëvendëskryeministër dhe ish-shef i diplomacisë kosovare, për “Gazetën Express” deklaroi  se është “e ditur e” se “Beogradi është kryesor i atyre të cilët qëndrojnë prapa vrasjes së politikanit serb”.

Konfirmim për pohimin e këtillë, thotë ai, është fakti se vetë shteti serb e ka strehuar dhe e mbron Millan Radojçiqin, njeriun, i cili është një nga të dyshuarit kryesor për atentatin.

“Serbia është përgjegjëse për vrasjen e politikanit kosovar Oliver Ivanoviq. Urdhlruesit politik në Beograd të dyshuarit kryesor për vrasjen, Millan Radojçiq, jo vetëm që e mbrojnë dhe e mbështesin, por edhe e pengojnë ndriçimin e këtij akti kriminel përmes shpifjeve dhe propagandës”, deklaroi Hoxhaj për portalin prishtinas.

Sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, “deklaratat e Vuçiqit dhe të nënshtruarve të tij, të cilët i shërbyen regjimit të Sllobodan Millosheviqit, i frikësojnë serbët e Kosovës që të mos bashkëpunojnë me autoritetet në Kosovë për ndriçimin e vrasjes së Ivanoviqit”.

Ai thotë se vrasësit e Ivanoviqit ndodhen në beograd, ndërsa urdhërues i vrasjes është vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Kosova mbetet thellë e përkushtuar në zgjidhjen e këtij rasti sa më parë, sepse adresa e këtij krimi është në Beograd, ndërsa përgegjës është vetë presidenti Vuçiq”, deklaroi zëvendëskryeministri Hoxhaj.