Shkup, 16 janar – Për momentin Qeveria nuk ka shuma konkrete për atë se sa do të jenë implikimet financiare nga zbatimi i i Ligjit për përdorim të gjuhëve. Vitin e kaluar për këtë qëllim janë ndarë 100 milion denarë, deklaroi në konferencën e sotme për shtyp zëdhënësi i Qeverisë, Muhamed Hoxha.
“Pas shpalljes së Ligjit për përdorim të gjuhëve në “Gazën zyrtare”, të gjitha institucionet janë obliguar të krijojnë kushte për praktikë të Ligjit në përditshmëri. Çdo institucion megjithatë duhet të bëjë analizë të kapaciteteve të saj dhe pavarësisht asaj analize t’i ndërmarrë edhe hapat me të cilat do të përmirësohen kapacitetet dhe resurset njerëzore në lidhje me realizimin e Ligjit për gjuhët. Me Ligjin parashikohet edhe formimi i Inspektoratit që do ta monitorojë plotësimin e Ligjit nga ana e të gjitha institucioneve. Për momentin nuk kemi shumë të saktë për implikimet financiare, përkatësisht sa mund ajo t’i kushtojë Maqedonisë, por në Buxhetin e vitit të kaluar ishin siguruar njëqind milion denarë për zbatimin e këtij Ligji në praktikë”, tha Muhamed Hoxha në pyetjen e gazetarëve.
I pyetur se si do të mundësohet zbatimi i këtij Ligji në komunat dhe institucionet ku nuk ka të punësuar asnjë shqiptar, Hoxha potencoi se Ligji vlen për të gjitha institucionet që ekzistojnë.
“Për ato institucione që nuk e praktikojnë gjuhën sipas Ligjit për gjuhë që është në fuqi, parashikohen edhe dënime”, tha Hoxha.