Hoxha: Kosova po avancon në integrim

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha në takimin e Ministrave për Çështje Evropiane nga Ballkani Perëndimor në kuadër të Presidencës polake për Procesin e Berlinit, në Varshavë, ka mbajtur fjalë rasti ku ceku se Kosova mbetet plotësisht e përkushtuar për bashkëpunimin rajonal dhe procesin integrues.

Hoxha vuri në dukje se Rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballet me shumë sfida që kërkojnë veprime në nivel rajonal si për bashkëpunimin politik dhe ekonomik. Procesi i Berlinit ofron një shans të madh për të adresuar sfidat dhe mundësitë e përbashkëta në një gamë të gjerë fushash të politikave, duke përfshirë rritjen ekonomike, konkurrencën dhe lidhjen më të mirë me rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë në BE.

“Republika e Kosovës është në fazë të rëndësishme të zbatimit të agjendës së integrimit evropian, reformës gjithëpërfshirëse”,tha Hoxha, duke përmbushur detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, e cila për vitin 2018, ka arritur të realizohet përtej planit, me qasje konstruktive dhe pragmatike drejt një bashkëpunimi efektiv rajonal.

Gjatë vitit 2019, Kosova do të rishikojë projektet infrastrukturore dhe do të shtojë infrastrukturën digjitale, vuri në pah Ministrja dhe shtoi po punohet në veçanti në disa fusha si infrastruktura, rritja e fondeve dhe efikasitetit të WBIF, koordinimi më i mirë ndërmjet fondeve IPA dhe WBIF, dhe ka shtuar se Kosova mbetet plotësisht e përkushtuar për bashkëpunimin rajonal si dhe për integrimin evropian.