Shkup, 1 korrik – Koalicioni “MUNDEMI” është duke zhvilluar një fushatë pozitive, me porosi të qarta. Për dallim nga partitë e tjera politike, të cilat nuk kanë ofertë të qartë politike, shërbehen me retorika folkloriste dhe populizëm, madje edhe duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve duke mos respektuar rekomandimet e institucioneve shëndetësore për ruajtjen e distancës dhe mbajtjen e maskave, ne jemi duke ofruar program gjithë përfshirës, i bazuar në nevojat dhe kërkesat konkrete të qytetarëve. Kështu tha sekretari gjeneral i Lëvizjes BESA, Arjanit Hoxha, ndërsa informoi se kandidatët e koalicionit “Mundemi” po realizojnë takime të shumta brenda një dite.
“Për fat të keq, në aspektin politik – nga subjektet politike VMRO-DPMNE dhe BDI kemi një retorikë që na kthen memorien në vitet e regjimit. Çdoherë që ata dobësohen rikthejnë folklorin politik dhe gjuhën e përçarjes, urrejtjes dhe nxitjes të tensioneve. Qytetarët e kanë lexuar mirë këtë lloj manipulimi nga ish regjimi dhe nga çdo takim që kemi po motivohemi edhe më shumë dhe bindemi se koalicioni ‘MUNDEMI’ është opsioni edhe më i sigurt edhe më i dobishëm për shtetin dhe shoqërinë. Ata që sot shesin patriotizëm, duhet t’i rikujtojmë përmendoret, fasadat e stiroporit, përgjimet, rastet e montuara politike, rastet e pa zbardhura korruptive dhe ajo që është më e rëndësishmja duhet t’i rikujtojmë se sa të rinjë dhe të reja lëshuan vendin pikërisht shkaku se regjimi VMRO-BDI ia ka shuar shpresën dhe nuk i ka lënë perspektivë tjetër përveç largimit nga vendi”, tha Hoxha.
Po, vijoi më tej ai, ne jemi edhe patriot edhe kombëtar, pasi që duam të mbajmë të rinjtë në vendlindje, pasi duam të sigurojmë jetë më të mirë për të gjithë, të rritim pagat, të zhvillojmë ekonominë, të stimulojmë të rinjtë përmes granteve të ndryshme të hapin bizneset e tyre dhe të vetëpunësohen. “Ne jemi të angazhuar që të ndërtojmë objekte moderne arsimore dhe shëndetësore, të ndërtojmë çerdhe, shtëpi kulture, fusha sporti etj., duke mos bërë diskriminime në baza etnike apo regjionale, por parimi mbi të cilin është ndërtuar ky parteneritet mes Lëvizjes BESA dhe LSDM, në koalicionin MUNDEMI, do jetë eksluzivisht punë, investim dhe angazhim në bazë të nevojave të qytetarëve dhe jo në bazë të preferencave etnike apo partiake”, tha sekretari gjeneral i Lëvizjes BESA.