Omer XHAFERI
Shkup, 17 mars – Duke shprehur gatishmërinë tonë të parezervë për t’i mbrojtur interesat e shqiptarëve të Maqedonisë, në Kumanovë jemi mashtruar dhe keqpërdorur deri në këtë shkallë sa sot akuzohemi për “terrorizëm” dhe “organizatë terroriste”. Kështu e filloi mbrojtjen e tij, Enver Hoxha Kllajn, i akuzuar i radhës i “Grupit të Kumanovës”, i cili të premten (pasi paraprakisht nuk kishte pranuar të rrëfehet s’i dëshmitar), para Trupit gjykues tha se ardhja e tij në Maqedoni ka qenë e mbështetur në brengën personale se situata mund të eskalojë pasi kryetari i opozitës, Zoran Zaev, filloi me prezantimin e skandaleve të mëdha të krerëve shtetëror. Për dallim nga të akuzuarit tjerë, Hoxha gjatë përshkrimit të zhvillimeve të majit të dy viteve më parë, nuk dha shumë detaje se si kanë ndodhur ngjarja, por potencoi se ai personalisht në Kumanovë ka ardhur me ftesë të një personit, emrin e të cilit nuk e përmendi, duke u arsyetuar se nuk e mban mend, dhe i cili i kishte premtuar se prapa tyre qëndron populli. “Është e vërtet se ka njerëz që na kanë thirrur që të vijmë këtu. Megjithatë, pas këtyre ngjarjeve, ai person nuk është i kapshëm. Në këtë rast, unë – përfshi edhe anëtarët tjerë të grupit, kemi pasur besim të tepruar i cili ka qenë i keqpërdorur. Ndërsa unë, pothuajse për dy vite jam në pritje që prokuroria të hetojë dhe të shpalos më tepër fakte për këtë lëndë”, tha Hoxha. Në ndërkohë, si të gjithë të tjerët, ai tha se ka qenë i veshur me uniformë të UÇK-së, dhe ka mbajtur armë personale AK-47, megjithatë potencoi se sulmi i policisë mëngjesin e 9 majit ka qenë arsye që e ka shtyrë atë ta përdorë armën, veçanërisht duke u vetëmbrojtur. Gjithashtu, ai tha se para hyrjes në Maqedoni, në fillim të majit nuk e ka njohur asnjë person tjetër të grupit, si dhe nuk ka prezantuar në asnjë mbledhje apo takim kur është folur për atë se çka duhet ndërmarrë në të ardhmen grupi.
Nuk i besoj këtij procesi gjyqësor
Në bazë të Raportit të Pribes dhe marrëveshjes së arritur në Përzhino, shpresoj se ky proces së shpejti do të merr kahje ndërkombëtarë, gjegjësisht hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjeve të majit të vitit 2015, të bëhen nga organe të besueshme të Evropës. Ishte ky qëndrimi i të akuzuarit Enver Hoxha Kllajn, pasi prokurori Naum Panovski kërkoi nga ai që të tregojë se kush janë personat, të cilët e kanë ftuar në Maqedoni. “Sinqerisht, me respektin më të madh, unë dyshoj në këtë sistem, nga vetë fakti se si jemi trajtuar pas dorëzimit, pastaj në çfarë forme jemi marrë në pyetje e deri te fillimi i këtij procesi gjyqësor. Andaj, besoj në vlerat evropian dhe për këtë shkak mendoj se përgjigjen më të mirë se çka ndodhi në Kumanovë do ta japin hetimet ndërkombëtare”, deklaroi Hoxha. Në kuadër të kësaj pyetje, ai prokurorit Panovski i bëri të qartë se si shtetas i Gjermanisë, asnjëherë më parë nuk kishte pasur problem me organet e rendit, aq më pak me bindjet e tij për popujt tjerë, respektivisht potencoi se nuk e urren asnjë racë, komb dhe fe, përfshi edhe popullin maqedonas në këtë rast.
Kllajn kërkoi praninë e Ambasadës së Gjermanisë
Pothuajse për dy vite sa qëndron në paraburgim në burgun hetues të Shkupit, Enver Hoxha Kllajn, tha se ka qenë i vizituar dy apo tre herë nga përfaqësuesit e Ambasadës së Gjermanisë. “Ata më kanë premtuar se nga afër do ta përcjellin rrjedhën e këtij gjykimi, mirëpo habitem sepse sot dhe seancat tjera që kanë kaluar, ata nuk janë paraqitur, nuk i di shkaqet se për çfarë arsye jam lënë anash nga përfaqësuesit e Ambasadës”. Sipas dispozitave të Ligjit për procedurë penale, në këtë fazë të procesi gjyqësor, pasi pala mbrojtëse i parashtron pyetje klientit, në këtë rast të akuzuarit dhe ato i mbaron, Prokuroria ka të drejtë parashtrimin e pyetjeve, të cilat kryesisht lidhen me ato që i ka parashtruar avokati. Mirëpo, përplasja mes avokatit Mefail Asllani dhe gjykatëses Verka Petrovska, kishte të bëjë se “pyetjet e kryqëzuara”, të cilat i parashtronte Prokuroria, në fakt nuk janë të tillë, por se behët fjalë për pyetje të drejtpërdrejta. Në këtë drejtim, ato i parashtruan vërejtje Trupit gjykues se një gjë e tillë u është pamundësuar atyre në kohën kur Prokuroria Publike i ka prezantuar dëshmitarët e mbrojtur, gjegjësisht pjesëtarët e njësisë speciale që kanë marrë pjesë në luftimet e 9 majit apo në aksionet e më hershme lidhur me këto ngjarje. Seanca e radhës për këtë proces gjyqësor parashihet të mbahet me datë 20 mars.
Marrja në pyetje me qese në kokë dhe nën trysnin e revoles
Dhëniet e deklaratave në dy stacionet e policisë, sipas Hoxhës, kanë qenë të shoqëruar me maltretime, të cilat ai asnjëherë nuk i kishte paramenduar se mund t’i bëjnë pjesëtarë e policisë të këtij shteti. Fillimisht, Hoxha theksoi se në stacionin e parë në të cilin e kishte dërguar policia, ishte marrë në pyetje në një dhomë prej katër apo pesë personash, njeri prej të cilëve i kishte qëndruar përballë dhe me revole me laser dhe vazhdimisht e kishte mbajtur në shënjestër. Në rasti i dytë, të cilin me sytë e tij e kishte parë edhe i akuzuari Lenderit Rustemaj, të akuzuarit Enver Hoxha Kllajnë policia ia kishte futur kokë në një qese të najlonit, ndërkohë një pjesëtar tjetër me maskë në kokë ia kishte vënë revolen mbi kokë dhe në këtë mënyrë ka vazhduar marrja në pyetje.