Nebi Hoxha, Koço Angjushev dhe Aleksandar Zarkov janë kandidatët të cilët i propozojnë odat ekonomike për zëvendëskryeministra për Çështje Ekonomike në qeverinë e re. Hoxha është kryetar i Odës ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP), Angjushev nënkryetar i Odës ekonomike të Maqedonisë, Zarkov është drejtor ekzekutiv i Lidhjes së odave ekonomike (LOE).
Qëndrimi i tri odave është identik, se biznesi duhet drejtpërdrejt të kyçet në politikën ekonomike dhe zhvillimore të shtetit dhe se duhet të ketë qasje në përgatitjen e ligjeve para se ato t’i kalojnë filtrat e qeverisë dhe jo pasi të hyjnë në procedurë kuvendore.
“Zëvendëskryeministri për Çështje ekonomike duhet të veprojë në drejtim të krijimit të strategjisë për zhvillimin e sektorit privat, në produktivitet më të madh, numër më të madh punësimesh, përmirësimin e rrethimit afarist dhe mundësimin e rritjes dhe zhvillimit të tij”, porosit komuniteti i biznesit. Sipas odave, nevojitet harmonizim i plotë o politikave qeveritare me interesat e ekonomisë.