Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Avdullah Hoti ka akuzuar udhëheqësinë e tre institucioneve më të larta shtetërore se me veprimet e tyre e shkelin Kushtetutën e Kosovës, njofton korrespondenti i MIA-s në Prishtinë.
Hoti në publikimin në Fejsbuk ka dhënë, sipas tij, veprimet konkrete kundër-kushtetuese të presidentit të shtetit Hashim Thaçi, njeriut të parë të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.
“Sovraniteti dhe kufiri i Kosovës mbrohen me vendime kushtetuese. Kryeministri me delegimin e dialogut me Serbinë te presidenti e shkel Kushtetutën me atë që nuk kryen obligimet kushtetuese. Presidenti çdo ditë e shkel Kushtetutën duke u angazhuar jashtë Kosovës për korrigjim të kufijve. Spikeri parlamentar është vetëm publik, bën fushatë në terren pa asnjë seriozitet institucional, ndërsa veten e quan shef i koalicionit qeveritar”, ka shkruar Hoti.
Sipas shefit të të deputetëve të partisë më të madhe opozitare kosovare, “që të mbulohen dështimet dhe përcaktimet jo-kushtetuese, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit i kanë ashpërsuar akuzat mes veti”.
Në një fushatë të ashpër, ata i shtyjnë përpara agjendat e tyre klanore dhe partiake, duke i shkaktuar dëme shtetit të Kosovës. Për dalje nga kjo situatë, sa më shpejt duhet të ofrojmë mundësinë qytetarëve të Republikës sovrane të Kosovës në kufijtë e saj shtetëror të 17 shkurtit 2008, ta thonë fjalën e tyre në zgjedhje të lira”, ka porositur Hoti. (koha.mk)