Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka reaguar pasi ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq kishte përmendur një ndërhyjë të mundshme në veri të Kosovës, përcjellë gazeta KOHA.
Hoti në një postim në Facebook tha se Serbia e di se këto kërcënime janë boshe.
“Çdo dite dëgjojmë kërcënime nga Serbia, siç është rasti i fundit me kërcënimin e ministrit të Jashtëm serb për ndërhyrje në veri të Kosovës. Ata e dine se Kosova tani e ka ushtrinë e vet, dhe se KFOR është ende në Kosove. Prandaj, edhe ata e dinë se këto kërcënime janë boshe”, tha Hoti.
Ai shtoi se kjo gjuhë kërcënuese tregon se arritja e marrëveshjes në mes të dy vendeve është ende larg.
“Kjo gjuhë duhet të ndalet para çfarëdo dialogu. BE-ja duhet të reagojë”, tha Hoti.
Gjatë ditës së djeshme ministri serb Daçiq kishte kërcënuar NATO-n se Serbia do të ndërhyjë në Mitrovicë nëse sulmohen serbët. (koha.mk)