Prishtinë, 11 nëntor – Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti konsideron se mungesa e njohjeve të reja dhe ngecjet
në liberalizimin e vizave janë procese që po dëmtohen shumë nga propozimi i presidentit Hashim Thaçi për ndryshimin e kufijve me Serbinë.
Hoti në profilin e tij në Fejsbuk ka shënuar se “procesi i njohjeve është reduktuar deri aty ku demantimet se ky apo ai shtet nuk e ka tërhequr njohjen po konsiderohet sukses i madh”.
Kurse për ngecjet në procesin e liberalizimit të vizave po akuzohet se është Brukseli.
Siç ka shtuar shefi i GP të LDK-së, me gjithë këto efekteve të dëmshme, po vazhdohet me propozimin jo normal për ndryshimin e kufirit duke pretenduar normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Ne do të vazhdojmë pa hezitim për ta ndalur këtë ide që po nxjerrë çdo proces nga binarët kushtetues dhe po dëmton çdo raport normal me aleatët tanë. Ne kemi përgjigje që ta bëjmë këtë. Zgjedhjet janë zgjidhje. Ne nuk do të ndalemi, përkundrazi”, ka shkruar Hoti.