Prishtinë, 21 maj – Mandatori për formimin e qeverisë së re të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, do ta prezantojë programin e tij qeveritar sot para grupit parlamentar të partisë së tij.
Lajmi për agjencinë KosovaPres u konfirmua nga kreu i grupit parlamentar të LDK-së Arben Gashi, pa dhënë detaje në lidhje për mbledhjen e paralajmëruar.
Agjencia ka mësuar se takimi do të zhvillohet në Kuvendin e Kosovës, duke filluar nga ora 13:00.
Presidenti Hashim Thaçi më 30 prill i dha mandatin Avdullah Hoti për kryeministër, por vendimin e tij para Gjykatës Kushtetuese e kundërshtoi Lëvizja Vetëvendosje, e kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
Lëvizja Vetëvendosje konsideron se e vetmja zgjidhje për situatën në vend, pas votimit të mocionit të mosbesimit të qeverisë së Kurtit, më 25 mars, është që të mbahen zgjedhje të reja, pasi të jenë krijuar kushtet për këtë, pra pasi të ketë kaluar pandemia e Kovid-19.
Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se do të vendosë për kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje deri më 29 maj, deri në të cilën kohë ekziston moratorium për të gjitha aktivitetet që lidhen me formimin e qeverisë të re.
LDK, e cila u rendit në vendin e dytë në zgjedhjet parlamentare të tetorit të kaluar, tashmë ka arritur marrëveshje për koalicion qeverisës me partitë opozitare të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe ish-zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj – Nisma Socialdemokrate, si dhe me partinë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista Serbe (SL) dhe me partitë e bashkësive të tjera joshumicë etnike.