Prishtinë, 20 shkurt – Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Avdullah Hoti i hodhi poshtë si të pavërteta deklaratat e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi se idenë për korrigjim të kufirit me Serbinë i pari e ka dhënë themeluesi i LDK-së dhe presidenti i parë i Kosovës Ibrahim Rugova, lajmëron korrespodenti i MIA-s nga Prishtina, përcjellë gazeta KOHA.
Hoti në një shkrim në Fejsbuk thotë se Thaçi me pohimet e tilla të pavërteta po tenton që t’i arsyetojë veprimet e tija antikushtetuese.
“Presidenti Rugova e ka refuzuar kategorikisht idenë e ndarjes territoriale te Kosovës. Kjo është e vërteta.
Presidenti aktual nuk mund te thirret ne deklarimet e presidentit Rugova per te përligjur aktet e veta antikushtetuese”, shkroi shefi i deputetëve të partisë më të madhe në Kosovë.
Si konfirmim për pohimin e tij, Hoti transmeton një intervistë të cilën Rugova e kishte dhënë për gazetarin Blerim Shala, i cili është këshilltar aktual i Thaçit, në vitin 2004 për gazetën “Zëri”. Në pjesën të cilën e publikon Hoti, në pyetjen “a e përkrahin liderët perëndimorë idenë e Serbisë për ndarje territoriale të Kosovës”, Rugova përgjigjet se ai “nuk përdor terme të tilla” dhe se “konceptet e tilla do t’i kthenin tensionet në Ballkan”.
Në konferencën e stome të organizuar nga Instituti për Çështje Evropiane dhe Zhvillim (RIDEA), në temën “Zëri i popullit ‘për finalen e madhe’ mes Kosovës dhe Serbisë”, Thaçi tha se idenë për korrigjim të kufijve me Serbinë, për të cilën ai angazhohet vazhdimisht që nga vera e kaluar, i pari e ka shfaqur Rugova, ndërsa më vonë edhe ish kryetari i Kuvendit, akademik Nexhat Daci dhe anëtari i udhëheqësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri.
Pyetjen se e kujt është ideja për “korrigjim të kufijve” ose shkëmbim të territoreve, presidentit kosovar në konferencë ia parashtroi Nenad Rashiq, lider i partisë së serbëve të Kosovës, për çka Thaçi u përgjigj se Serbia synon ndarjen, përderisa ai është “vetëm për bashkim të Kosovës me Luginën e Preshevës”.
Idenë e presidentit kosovar e kundërshton i gjithë spektri politik shqiptar në Kosovë, ndërsa në mesin e mbështetësve të paktë është kryetari i Gjilanit, Haziri, i cili dëshiron bashkimin e Luginës së Preshevës, pa i dhënë territore Serbisë.
Ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq dje deklaroi se “demarkacioni me Kosovën” është propozimi zyrtar i Beogradit për zgjidhjen e kontesteve me Prishtinën.(koha.mk)