Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se askush nuk është konsultuar me të lidhur me emërimin e djalit të deputetit Haxhi Shala, Flakron Shalës, në pozitën e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës Kosovës në Pragë të Çekisë.
Hoti ka thënë se ai është informuar nga mediat lidhur me këtë emërim dhe se kabineti i tij qeveritar do të bëjë një analizë të shërbimeve diplomatike e konsullore e pastaj do të ndërmarrë veptrimet e nevojshme.
“Qeveria është në proces të analizimit dhe rishikimit funksional të rrjetit të misioneve diplomatike. Pas kësaj analize do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar funksionim efikas të misioneve diplomatike dhe do të sigurohemi që përbërja e këtyre misioneve të jetë në përputhje me ligjin”, ka shkruar Hoti në rrjetin social Facebook.
Në Kosovë ka ngjallur reagime të shumta emërimi i djalit të deputetit Haxhi Shala, Flakron Shalës, në pozitën e Konsullit të Përgjithshëm të Kosovës në Pragë.
Vota e deputetit Haxhi Shala ka qenë vendimtare për votëbesimin e kabinetit qeveritar të Avdullah Hotit. Shala ka deklaruar se publikisht se ai ka vendosur të votojë për këtë qeveri pasi për këtë ua kishin mbushur mendjen Hashim Thaçi, atëherë president i Kosovës, dhe Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,.
Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar shfyqizimin e dekreteve të ish-presidentit Hashim Thaçi që janë në kundërshtim me praktikat diplomatike.