Hotelierët thonë se me ndryshimet e fundit të protokolleve, restorantet janë përjashtuar nga organizimi i eventeve edhe pse, sipas tyre, në ahengjet familjare janë të pranishëm numër më i vogël i njerëzve në raport me koncertet
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 8 korrik – Me vendimet e fundit të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse në Maqedoninë e Veriut po mundësohet organizimi i koncerteve në të hapur, por jo edhe organizimi i celebrimeve familjare. Ngjarjet që do të mbahen në ambiente jo të mbyllura do të organizohen me 50 për qind të kapaciteteve të vendit ku do të mbahet ngjarja, me mbajtje të obligueshme të maskës për të gjithë vizitorët dhe organizatorët. Obligohet edhe mbajtja e distancës prej dy metra për vizitorët dhe të gjithë ekipet e angazhuara për organizim, në hapësirat e mbyllura me mundësinë e uljes përmes një karrigeje. Parashikohet edhe dezifenktim i obligueshëm i duarve për të gjithë vizitorët dhe të tjerët gjatë hyrjes dhe kohëzgjatjes së ngjarjes. Parashikohet edhe mirëmbajtja e rregullt e higjienës në tualete, si dhe masa të tjera të përforcuara higjieniko-sanitare, si dhe prania e obligueshme e shërbimit të sigurisë që do të mbikëqyrë këto masa. Përcaktohet edhe matja e obligueshme e temperaturës gjatë hyrjes së çdo vizitori, si dhe ndalesë e shitjes së ushqimit dhe pijeve në koncerte së bashku me angazhimin e shërbimeve patrulluese për mbikëqyrjen e mbajtjes së distancës fizike dhe maskave mbrojtëse.
Në ndërkohë, hotelierët thonë se me ndryshimet e fundit të protokolleve, restorantet janë përjashtuar nga organizimi i eventeve edhe pse, sipas tyre, në ahengjet familjare janë prezente numër më i vogël i njerëzve në raport me koncertet. “Kërkojmë të mundësohet të fillojmë me punë duke ulur numrin e mysafirëve, gjithnjë duke i kushtuar më shumë vëmendje dezinfektimit, uljes në tavolinë deri 12 njerëz në largësi prej 1.5 metrash, me respektimin e protokolleve përkatëse e kështu me radhë”, thotë Martin Angellovski, nga Oda e Hotelerisë pranë Lidhjes së Odave Ekonomike. Ai shton më tej se hotelierët do të protestojnë të mërkurën në rast se të martën nuk fitojnë dritë të gjelbërt nga kompetentët për ndryshimin e kushteve të punës së restoranteve në bazë të kushteve të reja shëndetësore. Angellovski shton më tek se kërkojnë të ndryshohen rregullat që ndalojnë që persona nga familje të ndryshme të mund të ulen në të njëjtën tavolinë.
Hotelierët javën e kaluar kanë propozuar përgatitjen e listës së mysafirëve prezent në event të përgatitur nga organizatori, shënimin e qartë dhe të dukshëm të podiumit. Gjithashtu, gastronomët, javën e kaluar fituan leje që të shërbejnë klientët edhe në pjesët e brendshme të lokaleve, mirëpo akoma nuk lejohet organizimi i festimeve të ndryshme si dhe nuk lejohet muzikë live. Gastronomët thonë se me ndryshimet e propozuara nga ana e tyre, mbajtja e dasmave dhe eventeve të tjera është shumë më e sigurt nëse organizohen me rregullat qartë të caktuara nga ana tyre, në vend se të organizohen evente në banesa apo oborre të shtëpive ku nuk po respektohen protokollet e sigurisë. Nga ana tjetër, në Kosovë pas lejimit të mbajtjes së dasmave pas një korrikut, megjithatë pas rritjes së shifrave të të sëmurëve nga Kovid-19, qeveria e Kosovës ka përkufizuar lëvizjen në Prishtinë, Ferizaj, Vushtri dhe Prizren si dhe ka mbyllur gastronominë në mbrëmje. Nga data 6 korrik 2020, të gjitha subjekteve që ofrojnë shërbime të gastronomisë (restorantet, kafeteritë, klubet e natës dhe të ngjashme) – ju ndalohet funksionimi nga ora 21:00 deri në 05:00 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Jashtë këtij orari mund të punojnë vetëm në hapësira të hapura, duke respektuar distancën prej 1.5 metrash hapësirë ndërmjet tavolinave, si dhe shërbimet merre me vete, thuhet në vendimin e fundit të ekzekutivit në Kosovës në kuadër të masave të reja për parandalimin e pandemisë KOVID 19.
Më 1 korrik, me vendim qeveritar janë ndaluar edhe tubimet me më shumë se 50 persona. Për shkak të rritjes së numrit të të prekurve me ÇOVID-19 në vend, Qeveria ka marrë masa të reja. Një prej vendimeve që është marrë nga Qeveria Hoti është ndalimi i tubimeve me më shumë se 50 persona. Me këtë nënkuptohet se nuk do të lejohet mbajtja e dasmave dhe ahengjeve të tjera familjare. (koha.mk)