Shkup, 1 janar – Hoteli “Hilton” në Shkup, më i riu në zinxhirin e hoteleve luksoze të brendit me renome sot, 1 janar, zyrtarisht fillon me punë dhe do t’i presë mysafirët e parë.
I vendosur pranë Skelës së lumit Vardar në afërsi të urës “Binjaku” në komunën e Aerodromit, objekti është në pesë kate dhe përfshin hapësirë prej 25.000 metra katrorë.
Hoteli disponon me 170 dhoma, 15 apartamente prej të cilave njëri presidencial prej 260 metrash katrorë, qendër moderne për spa dhe fitnes, banjë tradicionale turke, suanë, xhakuzi dhe pishinë të mbyllur, si edhe sallë për stërvitje, gjashtë salla konferencash dhe një sallë për solemnitete dhe tre restorante.
Për mysafirët hoteli disponon me hapësirë të mbyllur parkingu për 150 automjete, si edhe parking të hapur për 200 automjete.
Brendi “Hilton” është i pranishëm në 109 shtete me gjithsej 5.500 hotele. Hoteli në Shkup është investim në vlerë prej 50 milionë euro dhe do t’i punësojë 200 persona.