Jokonvencional ama çuditërisht bindës, filmi horror me motive të të mbinatyrshmes “The Invocation of Enver Simaku” është në rastin më të mirë mrekullisht i veçantë dhe aspak i bezdisshëm.
Koncepti i këtij filmi – që për temë ka jetën e një burri të përkushtuar që ta zgjidhë misterin e vdekjes së bashkëshortes gjatë trazimeve politike – është mjaft i drejtpërdrejtë, duke përfunduar me një potpuri të çalë por joshëse trileri, pamjesh të papara dhe historish politike që gërshetohen kënaqshëm përkundër ngjarjeve të çuditshme, dhe refuzon të ngërthehet përbrenda suazave të zhanrit, shkruan sot KohaNet.
Ngjarja te “The Invocation of Enver Simaku” zhvillohet në mënyrë të prekshme në Shqipëri, ku publikimi i filmit gjatë fundit të prillit u kthye një goxha ngjarje mediale.
Narrativi me tone tragjike e të ndryshueshme i aktorit gjerman (dhe banor të Spanjës) Julien J. Blaschke sugjeron qysh në fillim se do të vizitojmë disa vende të errëta të përnjëmendta, ama edhe metaforike. Vendet e errëta janë në Shqipërinë e vitit 1997. Gazetari televiziv Julien (Blaschke) xhiron një dokumentar bashkë me partneren e tij, Angela. Pasi dëgjojnë të shtëna në rruga, ata nxitojnë në drejtim të tyre vetëm sa për t’u gjendur në mes të protestave dhe këtu Angela vritet mistershëm.
Pamjet janë historike dhe Lledo Escartin u është besnik fakteve, duke u përqendruar në luftën civile që ndodhi në fillim të 97-s në Shqipëri, për të çuar drejt rrëzimit të Qeverisë dhe vdekjes së mbi 2.000 vetave.
Njëzet vjet më vonë Julien kthehet për t’i zbuluar shkaqet që fshihen prapa vdekjes së papritur dhe traumatizuese të Angelas. Gjysmora e parë e përpjekjes së tij ofron skena mbresëlënëse të dokumentarit që tregon se si besëtytnitë e moçme u lejuan të lulëzojnë, pas ndalesës 40-vjeçare të imponuar nga Qeveria komuniste e Enver Hoxhës mbi praktikat fetare.
Pavarësisht nëse është i vërtetë apo jo fakti se Hoxha ka pasur një njësit policor paranormal të tipit të “X-Files”, siç i duhej filmit, nuk mund ta fajësoni skenarin se i gërsheton gjërat aq mirë saqë tingëllojnë të mundshme.