Një lexues i rëndom e ka shumë të vështirë të dallojë lajmin e rremë nga lajmi i vërtetë edhe për faktin se strehë e informacionit të paverifikuar sot po bëhen edhe mediat që do të duhej të jenë më të kursyera ndaj kësaj hordhie lajmëtarësh të pa cipë
Emin AZEMI
Një paradoks që po ndjek informacionin e plasuar, kryesisht, përmes portalomanisë, ka të bëjë me statusin e paqenë që ia japin një ngjarjeje. Ajo që bie në sy në këtë keqmenaxhim të informacionit, është prirja për të prodhuar me çdo kusht lajm, edhe atëherë kur ai nuk i plotëson as kriteret për të qenë thashetheme. Në fakt, thashethemnaja e dikurshme që thurrej e tirej nëpër berberhane e mejhane të katundit, tani ajo po përhapet si flluskë nëpër portale të ndryshme.
Javëve të fundit na ka rënë të lexojmë shumë lajme që kishin si shqetësim zhdukjen e njerëzve. Portalomania kësaj tematike i dha aq shumë zjarr, sa njerëzit filluan të “përcëllohen” në efektet e panikut dhe, si rrathë koncentrik, të përhapen ngadalë në sferat e painformuara të publikut.
Një gazetari që nuk i mbështet dyshimet e veta mbi një hulumtim përcjellës, që do të kishte si pikë referimi ndonjë burim relevant, ndonjë dëshmitar okular, apo ndonjë statistikë zyrtare, ajo nuk është e denjë të quhet gazetari. Nuk ka kurrfarë burimi, por mjafton të bëjë rrëmujën një lajm, i cili na prezanton një shifër të frikshme për personat e zhdukur. Nuk ka një burim zyrtar nga policia, nuk ka një deklaratë të ndonjë dëshmitari dhe nuk ka asgjë që do të quhej i besueshëm ai lajm. Dhe paradoksi më i madh ndodh kur këto lajme të gjymtuara transmetohen nga disa medie që konsiderohen si të besueshme. Në këtë sens, një lexues i rëndom e ka shumë të vështirë të dallojë lajmin e rremë nga lajmi i vërtetë edhe për faktin se strehë e informacionit të paverifikuar sot po bëhen edhe mediat që do të duhej të jenë më të kursyera ndaj kësaj hordhie lajmëtarësh të pa cipë.
Sikundër dihet, portalet janë nusprodukt i gazetarisë, por si të tillë nuk prodhojnë gazetari. Portalet e mirëfillta janë ato të cilat burojnë prej një medie të caktuar, prej një gazete apo prej një televizioni. Por edhe atëherë kur një portal funksionon si medie e mirëfilltë që ka ekipin e vet, që ka infrastrukturën e vet dhe burimet e veta të informacionit, atëherë një portal i tillë mund të jetë konkurrues në treg bashkë me mediat e tjera.
Fatkeqësisht, te ne ka shumë pak portale të tilla dhe dominojnë ato të cilat duke u marrë me ashtuquajturën “copy paste” gazetari, po i bëjnë më së shumti dëm vet gazetarisë, nga arsyeja se në portalet e tilla e kemi vërejt se udhëhiqen nga njerëz jo profesionist dhe tekstet që ata po botojnë, nuk i konfirmojnë burimet. Një dukuri tjetër që bie në sy është përkthimet apo marrja integrale e teksteve nga portalet maqedonase ose ato serbe, prandaj një informacion i tillë i papërpunuar mund të krijoj më shumë huti se sa informim të drejtë në opinion, andaj unë mendoj se edhe portalet duhet të trajtohen me anë të një Ligji për media dhe portalet të kenë statusin e gazetave dhe të televizioneve, aq më tepër kur tani interneti është resursi kryesorë që e bënë gazetarinë të jetë më afër lexuesit. (koha.mk)