Një ngjarje e çuditshme ka ndodhur këtë fundjavë në Arabinë Saudite në ndeshjen e kampionatit mes Al Nasr dhe Al Fateh dhe që po bën xhiron e botës. Gjatë ndeshjes, sistemi VAR u bllokua në mënyrë të pashpjegueshme, por më pas u gjet shkaku dhe ishte një nga më absurdët e mundshëm.
Sipas mediave vendase, një punëtor i stadiumit kishte nevojë që të karikonte celularin e tij, e për këtë arsye, kishte hequr spinën e parë që i kishte dalë përpara, pa e ditur se ajo po furnizonte me energji pikërisht sallën e monitorëve të sistemit VAR.
Sigurisht që gafa në fjalë ka bërë xhiron e rrjeteve sociale, ndërsa tregon edhe një herë se njerëzit nuk janë mësuar ende me përdorimin e këtij sistemi dhe kujdesin që duhet apo vëmendjen që krijon. Jo shumë kohë më parë, kampionati grek i futbollit ishte ai që u bë popullor në rrjetet sociale kur pamjet nga dhoma e VAR tregonin gjyqtarët duke marrë një porosi me sufllaqe para fillimit të sfidës.