Honolulu (SHBA) u bë i pari qytet amerikan që ndaloi përdorimin e telefonave celularë në vijat e bardha. “Këmbësorët e hutuar nga pajisjet e tyre celulare do të përballen me gjoba”, njoftoi media amerikane. Ligji, që ndalon përdorimin e telefonave celularë në kalimet e këmbësorëve, u miratua në korrik dhe hyri në fuqi dje. Shkelësit e parë mund të gjobiten deri në 35 dollarë, ndërkohë që gjoba mund të rritet deri në 99 dollarë për shkeljet pasuese. ”Ky ligj vlen jo vetëm për përdorimin e telefonave celularë dhe smartfonave, por edhe për tabletat dhe video game-et”, raportoi Hawaii News Now (HNN). Ligji erdhi si rezultat i numrit të madh të viktimave nga aksidentet në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas një raporti nga Shoqata e Sigurisë së Autostradave (GHSA), e cila lidh autoritetet e sigurisë së trafikut të 50 shteteve amerikane, në rrugët e SHBA-së në 2016 ka patur rreth 5 997 vdekje të këmbësorëve . “Nëse këto shifra konfirmohen, kjo do të shënonte një rritje të vdekjeve prej 11 për qind gjatë vitit të kaluar“, sipas raportit të GHSA-së.