Max Holloway ka fituar mëngjesin e sotëm duelin e UFC-206 ndaj Anthony Pettis, duke u shpallur kampion bote i peshës pupël, trofe që deri pak kohë më parë mbahej nga Conor McGregor. Dueli mes dy sportistëve u zhvillua në Toronto të Kanadasë dhe u fitua me meritë nga Holloway, që ashtu sipas parashikimeve, ishte më superior se rivali i tij. Sportisti nga Havai e shfrytëzoi në maksimumm mundësinë që iu dha, nuk zhgënjeu dhe u shpall kampion bote, pasi mposhti në kafaz Pettis me “KO Teknik” në raundin e tretë. Duel nisi më mirë për Pettis, që ishte më agresiv në oktagon, duke goditur fort rivalin, ndërkohë që Holloway ishte më shumë në pritje. Por me kalimin e minutave është Holloway ai që ndryshon qëndrim, godet fort me shkelma rivalin, duke fituar raundin e dytë. Me këtë ritëm amerikani vazhdon edhe në raundin e tretë, duke arritur ta hedhë në tapet rivalin, që dëmtohet edhe në dorë. Ndaj triumfi i Holloway ishte i merituar: “Unë dua të shkruaj historinë, të arrij ato nivele që kapi edhe McGregor. Tani radhën e ka Jose Aldo, të cilin e pres për sfidë në kafaz”, tha Holloway pas duelit.