Dy prej firmave më të famshme holandeze në fushën e arkitekturës janë përzgjedhur për të ridizenjuar qendrën e qytetit historik të Chelyabinskit, 1,300 km në lindje të Moskës. Ky qytet ka një popullsi prej 1.5 milionë banorësh, duke e bërë këtë qytet një prej më të populluarve në Rusi. Plani i firmave arkitekturore De Architekten Cie dhe Felixx Landscape synon që nëpërmjet ridizenjimit të qendrës së qytetit, ai do të ketë mundësi të mirëpresë më shumë banorë, gjë kjo që do të ndikojë edhe në rritjen e ekonomisë së brendshme. U zgjodh pikërisht ky qytet për t’u ridizajnuar, sepse nëpërmjet një lëvizjeje të tillë synohet të luftohen bandat e terroristëve të kësaj zone. Sipas masterplanit synohet që qyteti historik rus i Chelyabinskit do të transformohet në një qytet shumë social. Ai do të ketë sistem urbanistik shumë modern dhe një ndër synimet më të rëndësishme të këtij projekti është edhe zëvendësimi i industrive prodhuese me aktivitete të tjera, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në uljen e nivelit të lartë të ndotjes së ajrit. K y projekt përbëhet nga tri faza të rëndësishme, të cilat pas përfundimit do t’i japin atij pamjen e re: Rrugët do të shërbejnë si hapësira publike lineare. Përmirësimi i rrugëve aktuale do të krijojë mundësinë e futjes së infrastrukturave mjedisore të integruara, do të ndikojë në uljen e trafikut në mënyrë të ndjeshme. Blloqet e pallateve kanë shumë hapësira boshe ndërmjet tyre, të cilat sipas këtij plani mendohen të shfrytëzohen në maksimum. Ky transformim, i cili padyshim që do të vijë në mënyrë graduale, do të zëvendësojë ose do të përmirësojë të gjitha blloqet e pallateve dhe mbi të gjitha do të shfrytëzojë në maksimum të gjitha hapësirat e pashfrytëzuara, në mënyrë të tillë që ky qytet të mirëpresë dhe të rrisë numrin e banorëve të tij. Ndryshimi kryesor dhe më i dukshëm që do të vijë pas vënies në zbatim të këtij projekti do të jetë qendra e Chelyabinskit. Projekte të tilla i vijnë në ndihmë edhe qeverisë, e cila mund të kontrollojë shpejtësinë e transformimit dhe zhvillimit të zonave të ndryshme. Por ende nuk është publikuar asnjë datë zyrtare për fillimin e këtij projekti.