Qeveria holandeze sot e tërhoqi lejen për aterim në territorin e vendit për aeroplanin me të cilin ministri i jashtëm turk, Mevlut Çaushogllu duhej të arrinte në Roterdam, lajmëroi televizioni CNN-Turk. Vendimin e vetl të këtillë Qeveria holandeze e arsyetoi me qëndrimin se druan që qëndrimi i Çaushogllut në Roterdam do të mund ta “rrezikojë rendin dhe qetësinë publike”. Çaushogllu sot paralajmëroi se do të udhëtojë për në qytetin holandez, Roterdam për të marrë pjesë në tubimin e pjesëtarëve të komunitetit të atjeshëm turk në prag të referendumit kushtetues në Turqi, edhe pse prefekti i Roterdamit, Ahmed Abutaleb e ndaloi vizitën e tij.
Çaushogllu me atë rast u kërcënua se autoritetet holandeze do të përballen me “sanksione të ashpra”, nëse tentojnë ta ndalojnë vizitën e tij. Lidhur me paralajmërimin e këtillë për “sanksione të ashpra”, Qeveria holandeze vlerësoi se “këto kërcënime e bëjnë të pamundur zgjidhjen e problemit.
Çaushogllu në Roterdam duhej të fliste në një tubim të pjesëtarëve të komunitetit të atjeshëm turk, që e organizojnë autoritetet në Ankara, për t’i nxitur turqit në Holandë që të votojnë në referendumin për ndryshim të Kushtetutës së Turqisë, me çka rriten kompetencat e shefit të shtetit. Ndalesa e Berlinit për pjesëmarrje të dy ministrave turq në tubime mbsëhtetëse për ndryshimet kushtetuese në Gjermani, shkaktoi përkeqësimin serioz të marrëdhënieve turko-gjermane.