Hagë, 20 tetor – Qeveria e Holandës sot kërkoi nga Gjykata Supreme e vendit ta shfuqizojë aktvendimin e Gjykatës së Apelit në Hagë, me të cilën Holanda është shpallur “pjesërisht përgjegjëse” për vdekjen e 300 boshnjakëve në Srebrenicë në vitin 1995. “Nuk pajtohemi me opinionin e gjykatësve se paqeruajtësit holandezë të KB-së kanë vepruar në mënyrë joligjore dhe nuk kuptojmë si Gjykata mori vendim të këtillë”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë holandeze të Mbrojtjes, Klas Mejer. Në qershor të këtij viti, Gjykata e Apelit në Hagë e konfirmoi aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë nga viti 2014, në të cilën theksohet se paqeruajtësit holandezë “është dashur të dinë se boshnjakët do të vriten nëse i detyrojnë ta braktisin bazën e KB-së. Bëhet fjalë për rastin në korrik të vitit 1995, kur ushtarë holandezë nga përbërja e forcave paqeruajtëse të KB-së detyruan rreth 300 boshnjakë nga Srebrenica ta lëshojnë bazën e tyre në Potoçarë, pas së cilës ata u vranë nga ana e pjesëtarëve të forcave të serbëve të Bosnjës. Mediat holandeze menjëherë pas aktvendimit të Gjykatës së Apelit vlerësuan se vendimi gjyqësor paraqet përjashtim nga shkaku që pjesëtarët e forcave të KB-së gëzojnë imunitet nga përndjekja penale. Sipas tyre, ky rast është i vetmi në natyrën e tij, sepse shteti që merr pjesë në misionin paqeruajtës të KB-së është shpallur përgjegjës për veprimet e tij. Gjykata e Apelit aktvendimin e mori pas ankesës së parashtruar nga organizata “Nënat e Srebrenicës”, e cila i përfaqëson interesat e grave, bashkëshortet e të cilëve kanë qenë mes rreth tetë mijë burrave dhe djemve të vrarë nga ana e forcave të serbëve të Bosnjës në Srebrenicë në korrik të vitit 1995.