Presidenti i Bayern Munich-ut Uli Hoeness beson se është çështje kohe që një klub të thyejë rekordin e transferimeve dhe të paguajë më shumë se 200 milionë euro për një lojtar. Verën e kaluar Manchester United me blerjen e Paul Pogba-së vendosi rekord në merkaton futbollistike. Ish-juventini u bë blerja më e shtrenjtë e historisë së futbollit me 105 milionë euro, duke thyer rekordin e Real Madrid-it që mori Gareth Bale për 100 milionë euro nga Tottenham-i në 2013-ën. Hoeness mendon se ethet e tranferimeve super të shtrenjta herët a vonë i kapin të gjitha klubet elitare, por ai shton se mundësitë e reja tregtare e bëjnë të pashmangshme rritjen e mëtejshme të shifrave. “E kam thënë para disa vitesh se do të arrinim limitet financiare. Jam gabuar!”, tha Hoeness për “Bild” duke shtuar: “Për shembull nëse Bayern-i dhe Dortmund-i secili kanë një lojtar kinez në skuadër, rreth 300 milionë kinezë do të jenë duke parë online ndeshjen ku luan bashkëkombësi i tyre. Kjo do të thotë se ata do të paguajnë 1 euro për të parë ndeshjen dhe ja ku kemi një situatë krejt të re. Janë 300 milionë euro në vetëm një ditë. Jam i bindur se së shpejti klubet do të realizojnë transferime lojtarësh me shifra që i kalojnë 150 apo 200 milionë eurot”.