Ish-komandanti i përgjithshëm i Forcave Tokësore Amerikane në Evropë, Franklin Ben Hodges, ka kritikuar deklaratën e Gjermanisë dhe Francës drejtuar Kosovës dhe Serbisë për rinisje të dialogut, pasi, siç thotë ai, është dashur që aty të përmenden edhe përpjekjet e SHBA-së në këtë drejtim.
“U zhgënjeva që përpjekjet e Shteteve të Bashkuara nuk u përmendën në deklaratën e përbashkët të ministrave gjermanë dhe francezë. Shpresoj për bashkëpunimin e të gjitha palëve”, tha Ben Hodges, bashkëpunëtor i Qendrës për Analiza të Politikave Evropiane në Washington, në një përgjigje me shkrim për “Zërin e Amerikës” ndaj letrës së përbashkët të Gjermanisë dhe Francës që u bënte thirrje Kosovës dhe Serbisë për rinisje sa më të shpejtë të dialogut.
“Do të dëshiroja të mendoja se ka pasur njëfarë koordinimi midis përpjekjeve të Gjermanisë, Francës dhe Bashkimit Evropian dhe përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara. Mendoj se përpjekjet e përbashkëta do të ofrojnë shanset më të mira për sukses, sepse ato përfaqësojnë kombinimin më të gjerë të mbështetjes politike dhe ekonomike”, tha Hodges, ish-komandant i përgjithshëm i forcave tokësore amerikane në Evropë.
Ndërkaq, në një bisedë për Zërin e Amerikës, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Matthew Palmer, tha se në këtë ftesë nuk ka asgjë befasuese.
“Vazhdimisht flasim për këtë. Nuk ka asgjë befasuese në atë përmbajtje. Thënë të drejtën, kushdo që vendos mbi tavolinë diçka konstruktive – ka bërë mirë. Do të donim që çështja e formimit të Qeverisë në Kosovë të zgjidhet sa më parë, të zgjidhen përfaqësues legjitimë që do ta përfaqësojnë Kosovën në bashkësinë ndërkombëtare dhe në dialog. Dhe të shohim nëse mundemi t’i afrojmë Kosovën dhe Serbinë drejt një marrëveshjeje për normalizim të marrëdhënieve”, u shpreh Palmeri.
Megjithë trazirat politike në Kosovë, por edhe zgjedhjet parlamentare të qershorit në Serbi – gjenerali Franklin Ben Hodges beson se vazhdimi i dialogut nuk duhet të vonohet.
“Është absolutisht koha e duhur për përpjekje të vazhdueshme dhe mbështetje për dialog. Të rinjtë e Serbisë dhe Kosovës do të ikin nëse perspektivat e së ardhmes së tyre nuk përmirësohen. Dhe largimi i njerëzve të rinj dhe të talentuar e lë të ardhmen e rajonit në duart e atyre që vendosin të jetojnë në të kaluarën”, tha Hodges.
Megjithatë, aktualisht nuk ka kurrfarë shenjash se kur mund të rinis dialogu. Situata mjegullohet edhe më tej me faktin se Gjykata Kushtetuese në Kosovë vendosi që dialogun me Serbinë duhet ta udhëheqë qeveria, e jo shefi i shtetit – i cili për vite të tëra zhvillon bisedime me presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq.
“Jemi të vetëdijshëm se vetëm përmes angazhimit të përbashkët mes BE-së dhe SHBA-së do të mund të arrihet zgjidhja stabile, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse e konfliktit. SHBA-ja dhe BE-ja në të kaluarën kanë investuar shumë në të kaluarën dhe janë bashkërisht të angazhuar në zgjidhjen e konfliktit dhe të ardhmes demokratike, paqësore dhe prosperuese të Serbisë dhe Kosovës në BE”, tha për “Zërin e Amerikës”, Johanna Deimel, ekspertja e pavarur gjermane për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore.
Megjithatë, Deimel thekson se, përveç mesazhit për negociatorët Thaçi dhe Vuçiq, ajo e kuptoi letrën franko-gjermane si një referencë drejtuar Washingtonit.
“Njëzeteshtatë shtete anëtare të BE-së, madje as Parisi e Berlini, nuk do t’ia lejojnë Washingtonit dhe të dërguar special Richard Grenell, të marrë rolin udhëheqës – e në veçanti jo tani kur ka ardhur momenti i vazhdimit ose jo të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Porosia ishte e qartë: Miroslav Lajçakun, ish-shefin e diplomacisë sllovake, BE-ja e emëroi në funksionin e të dërguarit special për dialogun Beograd-Prishtinë. Bashkimi Evropian është duke marrë drejtimin në ndërmjetësimin e dialogut dhe koordinimin me Shtetet e Bashkuara – jo anasjelltas”, tha Daimel, duke kujtuar se Gjermania dhe Franca kishin folur më parë së bashku kur ato i kërkuan Parlamentit të Kosovës që të mos votonte mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë “Kurti”, gjë të cilën, siç thotë ajo, SHBA-ja e mbështeti hapur.
SHBA-ja, e cila e ka mbështetur procesin e dialogut që nga fillimi, u bë aktor më aktiv në përpjekjet që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve gjatë vakumit të krijuar pas zgjedhjeve në institucionet e Bashkimit Evropian.
Bllokada pas vendosjes së taksave nga ana e Kosovës u zgjat si pasojë e një periudhë të gjatë deri në konfirmimin e bartësve të funksioneve të institucioneve të BE-së, dhe hapësira u mbush nga SHBA-ja me iniciativat e saj në fushën e transportit ajror, hekurudhor dhe rrugor, transmeton Zeri.info.
Nismëtar dhe ndërmjetës në nënshkrimin e letrave të qëllimit ishte – i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë – Ambasadori Richard Grenell.
“SHBA-ja është vendi i vetëm që Kosovës i jep mbështetjen më të fuqishme. Po ashtu, ky vend e di që Serbia e 2020-ës nuk është ajo e 1999-ës. Ekziston një mundësi, nëse të gjitha palët përkatëse bashkëpunojnë”, tha Franklin Ben Hodges për Zërin e Amerikës.
Prania e konsiderueshme e Shteteve të Bashkuara në bashkësinë ndërkombëtare ka forcuar interpretimet se rezultati i negociatave midis Serbisë dhe Kosovës, një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht detyruese, mund të plotësohet nga një komponent territorial – d.m.th që të dy palët mund të shkëmbejnë pjesë të territoreve të tyre të banuara kryesisht nga shqiptarë dhe serbë.
“Jam e sigurt se ideja për ndryshime të kufijve është ende aktuale – pavarësisht asaj se Thaçi dhe Grenelli mohojnë që ajo të ketë qenë temë diskutimi në Washington. Rezultati përfundimtar, sipas mendimit tim, do të duhej të ishte njohja reciproke. Në të kundërtën, nuk do të jetë e mundshme që të dy vendet të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”, tha analistja Johanna Deimal, duke kujtuar qëndrimin parimor të Gjermanisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe kundërshtimin e shkëmbimit të territoreve.
“Mirëpo, modifikimi do të mund të ishte nëse me këtë, në fund, pajtohen Beogradi dhe Prishtina. Kjo atëherë hap çështjen se deri në çfarë hapi do të mund të ndikonte në nisjen e domino-efektit tek shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor”, tha për Zërin e Amerikës, analistja gjermane.
Ben Hodges nuk ka përgjigje në pyetjen se si do të dukej dhe çfarë do të duhej të përfshinte marrëveshja për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Por thotë se SHBA-ja dhe BE-ja duhet t’u ofrojnë palëve një opsion strategjik.