2.2 miliardë dollarë, diçka më pak se gjysma e buxhetit vjetor të Shqipërisë. Kaq vlen një skuadër e NBA. Bëhet fjalë për Hjuston Rokets që ka ndryshuar pronar duke u bërë skuadra më e shtrenjtë e historisë së koshit amerikan pasi askush më parë nuk kishte paguar një shumë të tillë për të blerë një markë të këtij sporti. Rekordin e ka thyer 60 vjeçari Tilman J. Fertitta, i cili ka arritur t’i shkëpusë manjatit Les Aleksander klubin. “Jam shumë i nderuar që u zgjodha pronari i ri i Hjuston Rokets. Për mua është një ëndërr që bëhet realitet”, theksoi Fertitta menjëherë pas kalimit të pronësisë në duart e tij. Aleksander kishte njoftuar nxjerrjen në shitje të Rokets që në muajin Korrik, vetëm pak ditë pas blerjes së Chris Paul dhe rinovimit të Xhejms Harden që do të përfitojë 227 milionë për 6 vjet. Në garë ishin shumë shoqëri madje edhe njerëz të famshëm si Hakim Olajxhuvon, Dikembe Mutombo e Beyonce, por Fertitta punoi jashtë projektorëve duke arritur marrëveshjen e çmendur. Ai ka lindur në Galveston dhe në Hjuston njihet si “Blerësi i një miliardë dollarëve”. 60-vjeçari ka një pasuri që llogaritet në 3.2 miliardë dollarë të fituara në fushën e hotelerisë, kazinove, restoranteve dhe në fushën e ndërtimit. Përveç skuadrës, ai arriti të blejë edhe të drejtën e menaxhimit të “Toyota Center” ku luan ndeshjet e shtëpisë skuadra nga Teksasi. “E njoh Tilman që prej 24 vjetësh dhe nuk besoj se do të kisha gjetur njeri më të përshtatshëm për të vazhduar traditën e Hjuston Rokets”, deklaroi pas finalizimit të marrëveshjes Leslie Aleksander, i cili largohet nga drejtimi i raketave pas më shumë se 2 dekadave me dy tituj të fituar në vitet 1994-1995. Pavarësisht ndryshimit të pronarit, objektivi i Hjuston nuk ndryshon. Skuadra teksane synon që këtë sezon me dyshen Harden-Pol të thyejë hegjemoninë e Golden Stejt në Perëndim.