Nga i gjithë historiku i amnistive në Maqedoni, në vazhdimësi ka patur një kacafytje në mes të parimeve etike dhe atyre politike dhe jo gjithmonë amnistitë kanë buruar nga logjika e shëndoshë e shtetit të së drejtës. Në të shumtën e rasteve motivet politike kanë mbisunduar dhe kjo është shpërfaqur sidomos në rastet e fundit, kur politikanët e inkriminuar brenda natës shpallen heronj prej të cilëve varen fatet e vendit
Destan JONUZI
Shkup, 3 janar – Në kuluaret e politikës, opinionit publik dhe shoqërisë ka shkaktuar reagime të shumta miratimi i Ligjit për amnisti për ngjarjet e 27 Prillit të vitit 2017, për të cilin Ligj 95 deputet të pozitës dhe opozitës votuan “PËR”. Nga viti 1991 e deri më 18 dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë gjashtë herë ka miratuar ligje të ngjashme që nënkupton se për 27 vite nga Pavarësia e Republikës së Maqedonisë, çdo 4 vjet e gjysëm është miratuar një ligj për amnisti, shkruan gazeta KOHA.
Ligji i parë për amnisti është miratuar në vitin 1991, kur ishin të amnistuar të burgosurit dhe personat me akt-gjykime në fuqi, si dhe personat të cilët ishin të dënuar e që nuk kishin filluar ende të vuajnë dënimin me burg.
Amnistia e dytë është miratuar në vitin 1999, ndërsa kishte të bën me kryerës të veprave me të cilët është shkaktuar “urrejtje” fetare, nacionale etj. Ky ligj ishte pjesë e Marrëveshjes politike midis partnerëve të atëhershëm të koalicionit, VMRO-DPMNE-së dhe PDSH-së, me të cilin ligj për amnisti u liruan nga vuajtja e dënimit kryetarët e komunave të Tetovës dhe Gostivarit, Alajdin Demiri dhe Rufi Osmani, si dhe aktivistët dhe themeluesit e Universitetit Të Tetovës (UT).
Ligji i tretë për amnisti është miratuar në vitin 2002, si pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, me të lirohen nga ndjekja penale dhe nga vuajtja e dënimit me burg pjesëtarët e UÇK-së, të cilët në mënyrë direkte morën pjesë në konfliktin e vitit 2001. Në vitin 2003 është miratuar ligji i katërt për amnisti, i cili ka qenë i rishikuar në vitin 2004 dhe në të janë përfshirë qytetarët të cilët kanë ju shmangën shërbimit ushtarak dhe ushtarët të cilët ikën nga kryerja e shërbimit ushtarak.
Ndërkaq, më 15 janar të vitit 2018, Parlamenti për herë të pestë votoi ligj për amnisti me të cilin u ulën dënimet me burg disa të burgosurve. Me këtë ligj u liruan nga vuajtja e dënimit me burg persona të dënuar deri në 6 muaj burg. Ndërsa, ata të cilët ishin të dënuar me dënim me burg më shumë se 6 muaj, lirohen për 30 për qind nga dënimi i përgjithshëm. Ky ligj nuk kishte të bënë nuk i përfshinte personat të cilët janë të dënuar me dënim të pejetshëm, për veprat penale vrasje, përdhunim, pedofili, terrorizëm, vepra kundër shtetit, kundër rendit dhe qetësisë publike, për veprat penale kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare.
Por, deputetët më 18 dhjetor të vitit 2018, si pjesë e marrëveshjes për “Pajtim” midis pushtetit dhe opozitës për herë të gjashtë e kanë votuar ligjin për amnisti me të cilin lirohen nga ndjekja penale, ndërpriten procedurat e filluara gjyqësore dhe plotësisht lirohen nga vuajtja e dënimit me burg personat për të cilat ekziston dyshimi se kanë kryer vepër penale lidhur me ngjarjet në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë që ndodhën më 27 Prill të vitit 2017.
Mirëpo, dispozitat e këtij ligji nuk kanë të bëjnë për personat e dyshuar, të akuzuar, të dënuarit me vendime gjyqësore që janë në fuqi dhe për persona, të cilët vuajnë dënimin me burg për ngjarjet e “27 Prillit”, për të cilët ekziston dyshimi i arsyeshëm se kanë marrë pjesë në përgatitjen ose organizimin e ngjarjeve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë ose janë dënuar për vepër penale të cilat nuk saktësohen në këtë ligj.
TË GJASHTË LIGJET PËR AMNISTI I KANË DISKRIMINUAR SHQIPTARËT
Njohës të zhvillimeve politike dhe të jurisprudencës thonë se të gjashtë ligjet për amnisti të miratuar në Kuvend që nga viti 1991, përveç atij copa-copa të vitit 2001 deri tek ky i fundit, jo që nuk i ka përfillur shqiptarët, ai i ka diskriminuar edhe më tepër.
“Të gjashtë ligjet për amnisti të miratuar në Kuvend që nga viti 1991, përveç atij copa-copa të vitit 2001 deri tek ky i fundit, jo që nuk i ka përfillur shqiptarët, por i ka diskriminuar edhe më tepër. Vetëm vëreni numrin e të falurve nga presidenti i vendit dhe përqindjen e maqedonasve që i paguajnë dënimet për shkeljet e rregullave të komunikacionit, dhe do të bindeni në realitetin e hidhur. Amnistitë, si kjo e fundit, Kodin Penal dhe Rregulloren e punës së Prokurorisë Speciale e bëjnë leckë çerepi, e cila është e pa përdorshme më. Edhe lecka e çerepit dikur duhet ndërruar”, deklaroi për gazetën KOHA, Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së ish-të Burgosurve dhe Përndjekurve politik Shqiptarë në Maqedoni.
Sipas tij, ligji i fundit i dhjetorit 2018 dëshmoi se klasa politike shqiptare e vendit nuk është asgjë më tepër se “goglat e biliardit” në duart e një lojtari të shkathët, hileqar dhe matrapaz, i cili i vendos dhe i godet ata sipas planit të vetë duke e ditur se cila “gogël” në cilën vrimë (tender, post, punësim të akraballëkut, të hajnave partiakë) do të hyjë. “Nuk më hynë në kokë një punë. Si është e mundur që shqiptarët ende nuk u mbushën me mend dhe s’e kuptuan që të gjitha ligjet e miratuar nga Kuvendi që nga viti 1991 e deri në ditët e sotme shërbejnë për ta rregulluar jetën shoqërore dhe private të maqedonasve dhe për t’i kontrolluar dhe për ti zhvatur shqiptarët”, thekson Pollozhani.
MIRATIMI I SHPESHTË I LIGJIT PËR AMNISTI, KËRCËNIM PËR PUSHTETIN GJYQËSOR
Nga ana tjetër profesori universitar, Mersim Maksuti, thotë edhe pse amnistia është kompetencë e Kuvendit, ku me Ligj lirohen nga ndjekja apo vuajtja e dënimit një numër i caktuar të kryerësve të veprave penale, por miratimi i shpeshtë i ligjeve për amnisti, në një vend normal demokratik paraqet kërcenim për pushtetin gjyqësor nga pushteti legjislativ.
“Kjo kompetencë Kuvendit i është dhënë në aspektin politik për ta shfrytëzuar duke i kontribuar stabilizimit politik dhe për një pajtim më të gjerë midis palëve të konfrontuara në shoqëri. Ndërsa në rastin konkret miratimi i Ligjit të amnistisë në Maqedoni është me bazë dhe ka qëllim politik duke mundësuar që nëpërmjet faljes së disa kryerësve të veprave penale të ngjarjeve të 27 Prillit të arrihet pajtimi midis palëve të konfrontuara dhe me këtë t’i mundësohet vendit anëtarësimi i plotë në strukturat euro-atlantike në NATO dhe BE”, deklaroi për gazetën KOHA, Mersim Maksuti, profesor universitar.
Nga i gjithë historiku i amnistive në Maqedoni, mund të konludohet se në vazhdimësi ka patur një kacafytje në mes të parimeve etike dhe atyre politike dhe jo gjithmonë amnistitë kanë buruar nga logjika e shëndoshë e shtetit të së drejtës. Në të shumtën e rasteve motivet politike kanë mbisunduar dhe kjo është shpërfaqur sidomos në rastet e fundit, kur politikanët e inkriminuar brenda natës shpallen heronj prej të cilëve varen fatet e vendit. (koha.mk)