Europa po vonohet që të sjellë shpresë për popujt që i vuajtën pasojat e të gjitha luftërave këtu e 100 vite. Këto vonesa mund të kenë edhe koston e vet, kurse përfituesi më të mëdhenj janë oligarkët politikë që po bëjnë biznes me fatkeqësitë e popujve që i përfaqësojnë
Nga Emin AZEMI
Lufta e Parë Botërore kishte përfunduar para 100 viteve, kurse arsyet pse ajo u desh të ndodhë ndërlidhen edhe me historinë e mëvonshme në këtë pjesë të Europës. Politikat konfliktuoze serbe u përfshinë në katedrat universitare të studimeve diplomatike e ushtarake dhe nëse do të ndiqej logjika e penalizimit të këtyre politikave, Serbia sot do të duhej të vuajë pasojat. Ajo vetëm në vitin 1999 pagoi shtrenjtë kryeneçësinë e saj, por në anën tjetër vazhdon të demonstrojë një qëndrim dualist kundrejt Brukselit dhe Moskës.
Megjithatë, në Ballkanin Perëndimor tash e tutje mund të ketë plotë vrima të zeza, për arsye se Strategjia e Komisionit Evropian, e prezantuar muaj më parë në Bruksel, kishte parashikuar që vetëm Serbia dhe Mali i Zi mund të jenë gati potencialisht pas vitit 2025 për t’iu bashkuar BE-së. Nëse strategjia më e re e Brukselit mund të kuptohet edhe si përgjigje ndaj përpjekjeve të Rusisë për ndikim në rajon dhe angazhimi ekonomik në rritje të Kinës, atëherë kush mund të garantojë që këto përpjekje ruse dhe këto ndikime kineze nuk do të intensifikohen pikërisht në këtë kohë kur BE paska hequr dorë vullnetarisht nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Bosnjë e Hercegovina, vende këto me ndikime jo të pakta nga jashtë dhe me rrjedhoja negative për stabilitetin e brendshëm të tyre.
Vrimat e zeza që po lihen nga Brukseli, askush nuk do të donte t’i mbushte me politika destruktive e destabilizuese, por vetë strategjia e BE-së me këtë qasje paraqet në vetvete njëfarë destabiliteti, sepse shpërblehen vendet si Serbia që edhe në këtë 100 vjetor të Luftës së Parë Botërore, ende nuk pagoi bilancet morale, financiare e politike për krimet e gjenocidet e kryera në BeH, Kosovë e gjetiu, kurse lihen nën mëshirën e oligarkive politike-mafioze vendet si Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bonjë e Hercegovina.
Nëse në të kaluarën Serbia ka qenë frika më e madhe e Brukselit për ndonjë shkarje gjeostrategjike të sajën drejt Rusisë, ky nuk është kurrfarë justifikimi që BE të aplikojë standarde të dyfishta në strategjitë e saja të zgjerimit. Aq më tepër kur lënia jashtë përfshirjes së kësaj strategjie, të tre, katër shteteve të Ballkanit Perëndimor, përpos që krijon parakushte për frustrime të përgjithshme sociale e politike, mund të prodhojë edhe disponime shtesë antievropiane, sidomos te gjenerata e re e cila deri para pak kohësh shpresat e së ardhmes i kishte mbështetur te BE.
Autorët strategjisë së re të BE-në mund të kenë harruar arsyet pse filloi Lufta e Parë Botërore, por nuk do të duhej të shmangin udhëtimin deri në Nish, sepse afër këtij qyteti Rusia ka një “ishull” me status diplomatik, që në semantikën ballkanike të keqinterpretimeve mund të ketë konotacione të ndryshme.
Europa po vonohet që të sjellë shpresë për popujt që i vuajtën pasojat e të gjitha luftërave këtu e 100 vite. Këto vonesa mund të kenë edhe koston e vet, kurse përfituesi më të mëdhenj janë oligarkët politikë që po bëjnë biznes me fatkeqësitë e popujve që i përfaqësojnë. (koha.mk)